Shqipëria, “kultura pashaPORTË” në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino

bk

“Kultura-pashaPORTË” është motoja e Shqipërisë në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino ku vendi ynë merr pjesë për herë të parë zyrtarisht. Ministria e Kulturës e Shqipërisë, me mbështetjen e Rajonit Puglia, të Qendrës së Kulturës Shqiptare, të Fondacionit Gramshi në Puglia dhe të Shtëpisë Botuese “Besa” mundësuan praninë e Shqipërisë në Sallonin e Torinos.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, nënvizoi vullnetin për forcimin e bashkëpunimit kulturor me Italinë, për t’i dhënë jetë kështu një programi të gjerë aktivitetesh që shërbejnë për njohjen në Itali të kulturës dhe letërsisë së vendit përtej Adriatikut.

“Motoja e Shqipërisë nënvizon idenë që kultura, përveçse është një pasaportë identiteti, na jep mundësinë të kapërcejmë kufijtë dhe të komunikojmë me kulturat e tjera. Në këtë kuptim, letërsia, si shprehja më e gjallë e më autentike e kulturës së një vendi, është mënyra më e mirë për të thelluar lidhjet e vërteta, të bazuara në “vlerat e ngrohta”, ato të dashurisë, miqësisë, poezisë apo historisë”, tha zonja Kumbaro.

Më 13 maj, në orën 17.00, ministrja Kumbaro do të zhvillojë një takim me drejtuesen për Turizmin dhe Kulturën e Rajonit të Puglia, znj. Loredana Capone, ku do të diskutohet mbi bashkëpunimin dhe mbështetjen e promovimit të kulturës shqiptare në Itali.

Në datat 13-14-15 maj do të mbahen takime të tjera rreth temave të migracionit dhe letërsisë shqipe në gjuhën italiane, të cilat do të zhvillohen me praninë e emrave të njohur të letërsisë dhe përkthimit në Shqipëri dhe Itali.

Pin It