”Shtëpia me Gjethe”, misteri i komunizmit që tërheq vëmendjen e turistëve të huaj

Muzeu i Përgjimeve ”Shtëpia me Gjethe” është kthyer tashmë në një atraksion turistik jo vetëm për vizitorët shqiptarë por veçanërisht për turistët e huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Drejtoresha e këtij muzeu Etleva Demollari, në një prononcim për ATSH-në u shpreh se ,”ky muze i hapur për publikun në 23 maj të vitit 2017 është vizituar nga 9500 vizitorë deri në fund të vitit 2017, ku 5300 kanë qenë vizitorë shqiptarë dhe 4200 vizitorë të huaj”.

Interesi i madh i vizitorëve të huaj ka qenë dhe vazhdon të jetë dhe për këtë fillimvit, për misterin që mbart ky muze nga e shkuara e largët me pajisjet e përdoruara në atë periudhë që synonte kontrollin total mbi trupat dhe shpirtrat e njerëzve.

Demollari thotë se për turistët e huaj ky muze ofron një itinerar njohës, ose ndryshe është një muze ndërveprues ku, përveçse filmimeve, objektet e asaj kohe mund të preken, pasi ato janë të ekspozuar dhe janë objekte autentike të përdorura nga regjimi komunist për të përgjuar, kontrolluar dhe spiunuar njerëz të pafajshëm.

“Shtëpia me Gjethe”, godina e mistershme, e cila prej 45 vjetësh mbuluar nga gjethet iu fsheh syrit të publikut, është një godinë, që fsheh nën misterin e saj histori dhe sekrete të mëdha që ka përjetuar populli ynë gjatë atyre viteve tmerri dhe izolimi total.

Ky muze memorie u ofron vizitorëve një guidë informuese në disa sektorë që trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së kryer në këtë shtëpi, që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve ‘30-të dhe deri në vitin 1991. Turistët shohin dhe prekin nga afër tetë sektorët të cilët tregojnë nga një copëz misteri brenda.

Prologu – Në hyrje të muzeut, Prologu trajton rrugëtimin historik të Shtëpisë me Gjethe. E ndërtuar fillimisht si klinikë lindje dhe e shndërruar më pas në një ndërtesë që prodhonte mister dhe frikë.

Sektori 01 – Çimka dhe krijesa të tjera: Teknika është neutrale vetëm kur nuk vihet në përdorim. Përgjimi elektronik është një teknikë që përdoret për të kontrolluar njerëz. Nga lloji i regjimit varet se për çfarë kontrollohen. Si të jetë regjimi, ashtu është edhe përgjimi.

Sektori 02 – Mikrofonat e gjallë: Puna e përgjimit elektronik është e lidhur ngushtë me bashkëpunëtorët e sigurimit të shtatit, me mikrofonat e gjallë. Zakonisht, këta u paraprinin me informacion mikrofonave elektronikë dhe, në mjaft raste, kanë qenë bartës çimkash për t’u arrestuar.

Sektori 03 – Ç’është armiku: Përfytyrimi mbi armikun përcakton mënyrat e kontrollit dhe represionit. Anasjelltas, këto mënyra ushqejnë dhe përforcojnë përfytyrimin mbi armikun. Rreth vicioz i dinamikës totalitare.

Sektori 04 – Armiku i jashtëm: Përgjimi i shtetasve të huaj përbënte në thelb një zgjatim të kontrollit dhe represionit brenda vendit. Një veçori e diktaturës komuniste në Shqipëri ka qenë vetizolimi përherë e më i plotë nga vendet e tjera, duke e shpallur Shqipërinë të vetmin vend socialist në botë, i cili gjendej nën rrethim dhe përbënte aktivitetin e dy superfuqive dhe të blloqeve të tyre: Njëkohësisht, në mendësinë totalitare të kohës, armiku i jashtëm paraqitej si i pandashëm nga armiku i brendshëm. Tek e fundit, vetizolimi synonte mbajtjen e shoqërisë shqiptare nën kontroll total.

Sektori 05 – Ndërmjetësia: Nën regjimin komunist, jeta private ka qenë krejt e pambrojtur nga ndërhyrja e shtetit: ngaqë ideologjia kishte një karakter kolektivist dhe ngaqë partia-shtet ishte e gjithëfuqishme.

Sektori 06 – Jeta e përditshme: Vëzhgimi është përdorur ndaj të gjitha shtresave dhe kategorive shoqërore, sepse asnjëra prej tyre nuk ishte e garantuar nga përndjekja, me përparësi ndaj asaj shtrese apo kategorie që shihej si potencialisht e rrezikshme në një moment të dhënë. Një fjalë, një këngë, një takim i rastësishëm, fare mirë mund të quheshin veprimtari armiqësore.

Sektori 07 – Zëra nga e kaluara: Janë zëra të kapur dekada më parë me përgjim elektronik. Por nuk mund të jenë objekt kureshtje. Vijnë nga terri, nga humnera. Pavarësisht prej fjalëve që thonë, janë zëra që ftojnë për një refleksion mbi të kaluarën.

Sektori 08 – Panoptikon – panakustikon: Mund të përkthehet si “vendi ku mund të shohësh dhe të dëgjosh gjithçka”. Kuptimi tjetër i fjalës së parë, sipas së cilës është ndërtuar edhe e dyta, është ai i një burgu ideal, të konceptuar mëse dyqind vjet më parë nga filozofi utilitarist Jeremy Bentham. Utilitaristët nuk besonin në utopinë e një shoqërie të përsosur.

Një utopi e tillë ishte edhe komunizmi. Pretendimet për t’a realizuar sollën shoqërinë e kontrollit total, në ngjashmëri me burgun e Bentham-it.

Sektori i fundit – E kaluara e pakryer: “E kaluara nuk vdes kurrë. Madje as e kaluar nuk është”, William Faulkner. “Në atë masë që e kaluara vërtet mund të ‘kapërcehet’, kjo arrihet vetëm duke rrëfyer çfarë ka ndodhur”, Hannah Arendt.

Ky muze, ose thesari i memories sonë kolektive, do vazhdojë të mbetet një atraksion kulturor dhe historik për vizitorët, pasi është një plagë që ka prekur brezin e shkuar dhe bën një panaromë informuese për brezin e ri, pasi i kushtohet njerëzve të pafajshëm që u arrestuan, internuan, torturuan dhe vuajtën dënime të rënda për shkak të përgjimeve, kontrolleve e spiunimeve gjatë regjimit komunist, shumica e të cilave kryheshin nga kjo shtëpi.

E ndërtuar në vitin 1931, godina e njohur në Shqipëri si “shtëpia e gjetheve”, fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950 ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të sigurimit.

ATA

Pin It