Si duhet ta planifikojmë kohën për të ruajtur ekuilibrat dhe të drejtën e çdokujt?

Planifikim i kohës do të thotë planifikim i jetës duke përcaktuar një radhë të çdo gjëje sipas rëndësisë që bart, duke marrë parasysh dhe duke vlerësuar të gjitha punët që duhen bërë. Asisoj, që brenda këtij plani të jetë e pranishme edhe jeta jonë adhurimore, me namazin, dhikrin dhe lutjen; po ende duhet të zënë vendin e tyre edhe përgjegjësitë që ne kemi ndaj njerëzve që na rrethojnë, duke nisur nga familja dhe fëmijët e më tej.

Për shembull, një besimtar nuk mund dhe nuk duhet ta lërë kurrsesi pas dore, e aq më pak ta braktisë, adhurimin e natës me pretekstin se është duke shërbyer. Po, një zemër që beson duhet t’i japë jetë natës së tij qoftë edhe me dy rekate namaz. Në fakt, një njeri që çohet gjatë natës për të falur dhe për t’u lutur për 10-15 minuta namaz tehexhudi nuk mund të thuhet se humbet ndonjë gjë prej jetës së tij të shërbimit; përkundrazi fiton shumëçka. Sepse një njeri që e vlerëson natën e tij, do të thotë se ka hyrë në rrugën e ringjalljes. Adhurimi i natës është një vepër që i bën banorët e urtë të qiellit të duartrokasin. Lutja e bërë ndërkohë, ashtu siç nuk ka të krahasuar me lutjet e bëra në pjesë të tjera kohe, vënia e ballit në tokë në atë orë të natës, ritakimi me sixhaden, përulja përpara Krijuesit, derdhja e dy pika lot është aq madhështore sa nuk mund të krahasohet me adhurimet e bëra gjatë ditës. Nga ky këndvështrim, teksa planifikohet një ditë, adhurimi i natës nuk do lënë assesi në një plan të dytë.

Jepini gjithkujt të drejtën që i takon!

Njeriu, ashtu siç nuk duhet kurrsesi të heqë dorë prej adhurimeve që i ushqejnë jetën e zemrës dhe shpirtit, duhet t’i marrë parasysh të gjitha detyrimet që i rrjedhin prej të drejtave të njerëzve që e rrethojnë në jetën e tij shoqërore, t’i vendosë ato sipas një radhe për nga rëndësia, dhe të përpiqet që t’i japë secilit kohën dhe të drejtat që i takojnë. Siç e dini, i Dërguari i Allahut (s.a.s.) u është drejtuar me këto fjalë sahabëve të Tij që linin pas dore familjet e tyre ngase donin të jepeshin me tërë forcën e tyre ndaj adhurimit: “Egoja ka disa të drejta prej jush, familja juaj gjithashtu ka disa të drejta prej jush, siç edhe Allahu ka disa të drejta prej jush… duhet t’u jepni çdokujt detyrimin që u keni për të drejtën e tyre.[1] Siç mund të kuptohet edhe prej këtij hadithi, qoftë edhe adhurimi nuk duhet t’i hapë rrugë braktisjes së kryerjes së disa detyrimeve që na burojnë prej të drejtave të vetes, të bashkëshortit/es, të fëmijëve, etj.

Në fakt, njësoj siç përcaktimi dhe ndarja e kohëve të namazit në pesë pjesë mund t’u japë disa mësime mjaft të mira njerëzve lidhur me planifikimin e kohës, edhe ajetet fisnike ku shpjegohen urtësitë e krijimit të ditës dhe natës u japin atyre disa të dhëna mjaft interesante. Për shembull, në suren Kasas thuhet kështu: “Ai, krijoi natën dhe ditën si vepër të mëshirës, që gjatë natës të çlodheni, e gjatë ditës të punoni për të kërkuar pjesën tuaj të mirësisë që Zoti jep për ju dhe ta falënderoni Atë për ato.[2] Në shembuj si ky dhe në të tjerë, Kurani Fisnik ju udhëzon në lidhje me planifikimin e kohës duke ju dhënë këtë mesazh: Nëse e planifikoni jetën tuaj, dhe gjatë ditës bëni ato që duhen bërë gjatë ditës dhe natën ato që duhen bërë gjatë natës, duke e vlerësuar natën me një thellësi të veçantë dhe ditën drejt horizontesh të arrira, shpëtoni prej jetesës së rrëmujshme, nuk pengoheni prej pengesave që burojnë prej mungesës së planit dhe programit, çka çon drejt një jete më të begatë.

Planifikimi i një njëzetekatërorëshi

Për një planifikim sa më të disiplinuar dhe me sa më shumë rendiment, mund ta hidhni prerjen tërthore të njëzet e katër orëve në një letër. Dhe për aq sa mund të bëhet diçka e këtillë, do të jetë hedhur në pah qartësisht se cila punë do bërë në cilën pjesë të kësaj kohe, duke nisur që nga mbledhja me shokët për të kryer biseda të përshpirtshme tek leximi i librave; nga rregullimi i shtratit pas zgjimit e deri tek lutjet dhe përmendja e emrave të Krijuesit; nga kalimi i kohës dhe diskutimi i çështjeve të ndryshme familjare me pjesëtarët e familjes e deri tek koha e çlodhjes. Madje edhe koha për të pirë një filxhan çaj apo për të ngrënë duhet të jetë e shqyrtuar më së pari nëpërmjet programit të përcaktuar si më sipër. Ta zëmë, nëse njëzet minuta janë të mjaftueshme për të ngrënë, do mjaftuar me kaq dhe nuk do shpërdoruar koha me dërdëllitjet që mund të pasojnë një vakt buke. Madje, ndërsa bëhet planifikimi i kohës, duhen marrë parasysh edhe punë të ndryshme shtesë që mund të dalin papritmas, duhen marrë masa duke u lënë disa copëza kohe të lira, në mënyrë që këto punë të papritura të mos prishin ekuilibrin kohor të së tërës.

Nëse mund të bëhet edhe një planifikim i të tëra punëve duke nisur që nga metoda e deri tek detajet më të imëta që duhet të kemi parasysh për kryerjen e tyre, atëherë ka për t’u ndierë menjëherë begatia që do të arrijë koha juaj dhe njëkohësisht do të shihni se si punët tuaja do të arrijnë më lart se synimet. Sepse, nëse jetës i jepet një rregull i këtillë, atëherë njeriu do të mund të jetojë plotësisht i disiplinuar në raport me kohën që ka në dispozicion, do të mësohet si të veprojë në raport me këtë kohë dhe do të mund t’i kryejë të gjitha punët dhe detyrimet e tij pa u kushtëzuar prej ndonjë dëmtim i motivimit për t’i plotësuar ato. Me pak fjalë, kjo do të thotë që të bëhesh një njeri i disiplinës dhe ta çosh jetën në një mënyrë krejt të disiplinuar. Sepse një njeri i këtillë, i disiplinuar, nuk përjeton as boshllëkun më të vogël në adhurimet e tij, as nuk neglizhon përmendjen e emrit të Allahut (xh.xh.), as nuk i shtyn gjithnjë për më vonë detyrat që duhet të kryejë, e as të drejtat dhe detyrimet karshi familjes nuk ka se si t’i shkelë.

/Drita Islame/

Pin It