Pse “fluturon” koha?

Si ka mundësi që jemi në fund të gushtit? Si iku kaq shpejt edhe ky muaj? Nëse e përsërisni këtë frazë çdo 30 ditë, është koha t’i thoni ‘ndal’ kohës dhe të shijoni të tashmen.

Kur je fëmijë jeta duket e pafundme. Çdo ditë ecën si breshka dhe vitet zvarriten ngadalë si kërmilli. Por me rritjen në moshë, perceptimi për kohën ndryshon. Ajo nis të fluturojë dhe ne duhet të mësojmë ta ndalim, para se të jetë shumë vonë.

  1. Provo diçka të re dhe emocionuese

Një nga arsyet pse fëmijëve iu duket koha shumë e gjatë është se ata janë në një proces “zbulimi” të botës, çdo ditë mësojnë diçka të re, përjetojnë përvoja që lënë mbresa në kujtesën e tyre. Ndërsa me rritjen jeta kthehet në rutinë dhe aktivitetet e reja janë më të pakta. Kur bën të njëjtat gjëra çdo ditë, truri bëhet dembel dhe ditët fillojnë të duken njëlloj.

Studimet tregojnë se pavarësisht nëse je 20 apo 50 vjeç, përvojat e reja zgjojnë trurin. Një udhëtim njëditor jashtë qytetit, mësimi i një gjuhe të huaj, madje edhe gatimi i një recete të re mund t’ju ndihmojnë ta “zgjasni” kohën duke e shijuar më shumë atë.

  1. Medito 5 minuta çdo ditë

Nëse gjatë ditës ndaleni për pesë minuta dhe mendoni rreth atyre që keni përjetuar atë ditë, do arrini të vini re më shumë gjëra që i anashkaloni zakonisht. Të rriturit e humbasin interesin për botën, më pak gjëra iu bëjnë përshtypje, prandaj ekspertët na ftojnë që pesë minuta çdo ditë të fokusohemi tek bukuria e gjërave që na rrethojnë. Është e pabesueshme se sa shumë e “zgjerojnë” kohën këto pesë minuta!

  1. Më pak stres për të përmbushur listën e detyrave

Studimet tregojnë se koha kalon më shpejt kur ndihemi të stresuar ngaqë kemi shumë gjëra për të bërë. Edhe ju do të keni patur momente në shkollë ose punë kur lista e detyrave për t’u përmbushur duket pafund e gjatë dhe dita shumë e shkurtër për t’i bërë të gjitha. Kjo krijon “presionin e kohës”.

Për ta shmangur këtë duhet të shmangni kryerjen e disa punëve njëherësh, sepse ato e fragmentojnë vëmendjen tuaj dhe ulin produktivitetin. Nëse do i bëni gjërat një nga një do i realizoni ato brenda një kohe më të shkurtër. Kështu edhe vetë do të ndjeni se nuk e keni çuar kohën dëm.

Përfundimi?

Koha fluturon atëherë kur ne nuk e përdorim mirë atë. Nëse i mbushim “minutat aq të rënda me vepra që peshojnë”, siç shprehet poeti Kipling, në fund do të kemi më shumë gjëra për të kujtuar, më shumë emocione të përjetuara dhe as muaji, as stina, as viti nuk do të na duket tepër i shkurtër.

Burimi:Urbanus

 

Pin It