Si u kthye shpallja Hyjnore, Kurani, në libër?

Kurani Famëlartë, ka zbritur në etapa të ndryshme dhe jo menjëherë. Kjo ka ndodhur me urtësi dhe si një mirësi për besimtarët. Kjo urtësi, ishte për t’i shprehur progresivisht parimet, orientimet dhe kufijtë që Zoti u lejonte njerëzve, si dhe për të lehtësuar kuptimin e tyre, zbatimin si dhe të mësuarit përmendësh të kësaj revelate.

Shprehja “xhem’ ul-Kur’ân” flet për faktin e mbledhjes së Kuranit. Dhe kjo ka ndodhur në dy mënyra: në formën gojore, që do të thotë përmes mbajtjes përmendësh (hifdh), si dhe në formë të shkruar, që do të thotë përmes shkrimeve mbi mbajtëse materiale (fletë, libër etj.).

Në literaturën klasike shprehja xhem’ ul-Kur’ân ka shumë kuptime, si: të mësosh Kuranin përmendësh; të shkruash çdo pasazh të shpallur; të grumbullosh materialet mbi të cilat është shkruar Kurani; të grumbullosh transmetimet e njerëzve që kanë mësuar Kuranin përmendësh; të grumbullosh të gjitha këto burime, qofshin gojore apo të shkruara. Në lidhje me tekstin në formë dorëshkrimi janë dalluar plot tri etapa: ato të kohës së Profetit (a.s.), ato të kohës së Ebu Bekër Siddikut dhe ato të kohës së Othman bin Affanit.

Suhuf-i dhe Mus’haf-i

Të dy termat e kanë prejardhjen nga rrënja sahafa “të shkruash”. Termi “suhuf” ka kuptimin e të shkruarit si dhe “të fletëve të shkruara”. Suhuf (njëjës sahifa) tregon pjesët e shkëputura të një materiali të shkruar mbi një lëkurë, papirus, kocka apo gjethe palme. Fjala mus’haf (shumës mesâhif) ka kuptimin “fletushka të mbledhura, të renditura dhe të grumbulluara në një libër”.

Në historinë e shkrimit të Kuranit, termi suhuf të çon tek fletët mbi të cilat ka qenë përmbledhur i gjithë Kurani në kohën e Ebu Bekër Siddikut. Mbi këto fletë, rendi i vargjeve kuranore në çdo sure ka qenë i përcaktuar, por këto fletë mbi të cilat kanë qenë shkruar suret, ishin akoma të shkëputura nga njëra-tjetra dhe të palidhura në një vëllim të vetëm.

Në kohën e Hz. Othman bin Affanit radha e vargjeve dhe ajo e sureve të shkruara mbi gjethe ka qenë e përcaktuar. Sot, ajo kopje e Kuranit, ku radha e vargjeve dhe e sureve është e përcaktuar, quhet mus’haf. Tradita na informon se në betejën e Jemamas (11h/ 633), në kohën e kalifit Hz. Ebu Bekër, pikërisht një vit pasi Profeti (a.s.) kishte ndërruar jetë, një numër i madh myslimanësh që kishin mësuar përmendësh Kuranin, u vranë. Kështu, Omer bin Hattabi pati frikë se mos humbiste një pjesë e madhe e Shpalljes Hyjnore dhe deshi që të ekzistonte të paktën një prej këtyre kopjeve e shkruar. Këtë frikë që e kishte zënë, ai ia njoftoi edhe Hz. Ebu Bekër dhe të dy ranë në një. Atëherë Hz. Ebu Bekër i dha si detyrë Zejd bin Thabit Ensariun, njërin nga shkruesit e Shpalljes Hyjnore, që të mblidhte Kuranin, duke i shënuar vargjet e tij të paktën prej dy recituesve.

Për hz. Zejd bin Thabit, Buhariu  citon se ka thënë: “Fillova të klasifikoja materialet kuranore dhe të grumbulloja e të mbështillja pergamenat, shpatullat e bagëtive, gjethet e palmave, duke u  mbështetur në kujtesën e njerëzve së bashku me Huzeimën. Dhe gjetëm dy vargje të sures Teube, të cilët nuk gjendeshin në asnjë vend tjetër: Nga gjiri juaj ju erdhi një i Dërguar. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, përpiqet që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.” Ky vëllim i madh kuranor u ruajt nga Ebu Bekri gjatë kalifatit të tij. Pastaj, kur hz. ebu Bekër ndërroi jetë,  këtë mus’haf e ruajti hz. Omer bin Hattab deri kur ndërroi jetë dhe ai. Pastaj kjo kopje e Kuranit iu besua hz. Hafsa, vajza e hz. Omer dhe gruaja e Profetit (a.s.).

Marrë nga: “Kurani i Madhërishëm”, Prof. Hasan I. Nahi

Pin It