“Sonte do të luajmë pa tekst”, një shfaqje dinamike si vetë jeta

Sonte-do-te-luajme-pa-tekst-calendar.Al_

Regjisorja Driada Dervishi solli në skenën e Teatrit Kombëtar premierën e “Sonte do të luajmë pa tekst”, shkruar nga dramaturgu italian Luigji Pirandelo. Aktorët e Teatrit Kombëtar dhe ata të trupës së Teatrit të Durrësit për rreth një orë e 40 minuta jo vetëm interpretuan, por edhe kënduan e kërcyen përpara publikut.

Vepra gërsheton zhanre të ndryshme artistike ashtu siç gërsheton edhe linjat e problematikave të ndryshme të një familjeje në ditët e sotme. Përmes përfshirjes së lojës së prapaskenës dhe ndërhyrjeve të regjisorit Pirandelo jep mesazhe të mëdha për ndërlikimet dhe të papriturat e jetës.

“Ashtu siç ka dhe jeta nga të gjitha situatat, ashtu ka edhe drama nga të gjitha momentet dhe ndjesitë”, tha regjisorja Dervishi. Ajo gjithashtu theksoi se e kishte përzgjedhur veprën që me leximin e parë duke vendosur që diçka e tillë duhej vënë në skenë.

Pjesa u interpretua nga aktorë të mirënjohur të teatrit shqiptar si Yllka Mujo, Dritan Boriçi, Adelina Muça, Met Xhelili, Sokol Angjeli, Niada Saliasi, Amos Zaharia, Neritan Liçaj, Olta Daku, Olta Gixhari, Bes Bitraku, Gent Hazizi, Marsel Rupi.

“Sonte do të luajmë pa tekst” i dha publikut mundësinë t’i shihte aktorët si asnjëherë më parë, duke interpretuar muzikë operistike, duke kënduar dhe duke vallëzuar. Për të arritur realizimin e pjesës aktorëve iu është dashur ndër të tjera të marrin mësime kantoje për rreth dy muaj.

 

Pin It