Sportet me kuaj, organizohet Gara e Dytë Ndërkombëtare

 

Images

Në Tiranë u zhvillua Gara e Dytë Ndërkombëtare e Kërcimit me Kuaj dhe fitues në kategorinë për të rritur doli britaniku David Mcpherson. Aktiviteti u organizua nga Federata Shqiptare e Sporteve me Kuaj në bashkëpunim me Spitalin Amerikan dhe Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë Tiranë.

Në aktivitet morën pjesë 13 garues profesionistë nga rajoni dhe vende të ndryshme të Europës dhe botës. Britaniku Mcpherson, i cili është edhe kampion në vendin e vetë, triumfoi në duelin e fundit me gjermanin Marcel Muller dhe shqiptarin Klodian Allajbeu.

Allajbeu, i cili është edhe president i Federatës Shqiptare të Sporteve me Kuaj, u shpreh i kënaqur për realizimin e aktivitetit dhe optimist për të ardhmen e këtij sporti në Shqipëri.

“Do të kemi vazhdim të garave, do të organizojmë gara mujore, ndërsa do të kulmojë me pjesëmarrjen tonë në Ballkaniadë me 6 shtator në Bukuresht të Rumanisë. Atje do të marrin pjesë tre kalorës shqiptarë. Ne jemi ndër pretendentët kryesorë atje”, u shpreh ai.

Gara në kategorinë e të rriturve në lartësinë 130-140 cm u zhvillua më 22 maj, ndërsa më 21 maj u zhvillua gara e kategorisë së fëmijëve në lartësinë 90-110 cm. Në garën e parë që u zhvillua në muajin prill fitues doli gjemani Hilman Meyer, ndërkohë që pas tij u renditën bullgarët Todorov dhe shqiptari Adriatik Tafani.

Pin It