Stefan Cvajg, shkrimtar austriak që hulumtoi thellësisht brendinë njerëzore

Stefan_Zweig

Stefan Cvajg, është një nga shkrimtarët më të njohur në botë, i viteve 20-të dhe 30-të. Ai shkroi novela dhe tregime, si edhe shumë biografi të figurave të njohura të historisë së botës, ndër të cilat më e famshmja është biografia e Maria Stjuart, si edhe ajo e perandoreshës Mari Antuanete. Fillimisht veprat e tij u botuan në gjuhën angleze nën pseudonimin ‘Stephen Branch’ (Stefan Brenc – përkthim i emrit origjinal).

Ai ishte i biri i Moris Zweig, pasanik hebre i cili prodhonte tekstile si dhe i Ida Brettauer, e bija e një familjeje bankierësh italianë. Edhe pse rridhte nga familje hebraike, feja nuk luajti ndonjë rol në edukimin dhe formimin e Cvajg. ‘Feja ime ishte thjesht një rastësi si rjedhojë e prejardhjes sime’ – është shprehur ai gjatë një interviste. Cvajg studioi filozofi dhe histori letërsie si dhe ishte pjestar i lëvizjes avangarde “Viena e Re”. Edhe pse esetë e tij botoheshin në ‘Neue Freie Presse’, botuesi i së cilës ishte udhëheqësi zionist Teodor Herzl, ai nuk ishte i ndikuar nga nacionalizmi hebraik i Herzlit. Cvajg-u e braktisi Austrinë pas ardhjes në fuqi të Hitlerit. Gjatë kësaj periudhe ai u mbështet botërisht nga kompozitori Richard Shtraus, i cili refuzoi të hiqte emrin e Cvajgut nga parrullat për prezantimin e operas së tij ‘Gruaja e heshtur’ në Dresden. Për këtë arsye Hitleri nuk e ndoqi hapjen e operistikës së muzikantit më të madh të kohës së tij si dhe pas tre shfaqjesh opera u ndalua.

Cvajg studioi ne Austri, Francë dhe Gjermani. Në vitin 1904 ai mbaroi doktoratën për filozofi dhe arte të bukura nga Universiteti i Vienës. Përpara se të vendosej në Salzburg (1913) ai udhëtoi nëpër shumë vënde të botës. Në 1914 Cvajg u martua me Friderike Maria Burger von Winternitz (1882-1971), e cila i kish dërguar letra adhurimi që nga viti 1901. Friderike u bë shkrimtare gjithashtu dhe ata jetuan bashkë, me dy vajzat e saj nga martesa e parë, për më shumë se 20 vjet.

Vepra e parë e Cvajg ishte përmbledhja poetike ‘Litarë të argjendtë’ (Silberne Saiten) e cila u botua në vitin 1901 kur ai ishte vetëm 20 vjeç. Më pas u botua në Zvicër, drama e tij kundër luftës, titulluar ‘Jeremiah’, të cilën ai e shkroi në vitin 1917 kur ishte ushtar. Kjo dramë frymezohej nga Lufta e Parë Botërore dhe u luajt për herë të parë në Nju Jork në vitin 1939. Cvajg shkroi dhe drama të tjera si ‘Tersites’ në 1907, një tragjedi e shkruar në vargje të lira si dhe ‘Jetë në det’ (Das Hause Am Meer) në 1912, tek e cila pasqyrohej Lufta Civile në Amerikë. Cvajg jetoi për gati 20 vjet në Salzburg edhe pse si gjithmonë kohën më të madhe e kalonte nëpër udhetime. Gjatë Luftës së Parë ai punoi në arkivat e Ministrisë Austriake të Luftës, por u detyrua te largohej për në Zyrih atëherë kur bindjet e tij paqësore ranë ndesh me bindjet e eprorëve të tij. Cvajg u bë i njohur fillimisht si poet dhe përkthyes (ai zotëronte 5 gjuhë të huaja, përveç hebraishtes, latinishtes dhe greqishtes së lashtë) dhe më pas si biograf, tregimtar dhe novelist. Ai njihet si intelektuali i parë që hodhi idenë e një Europe të Bashkuar, në vitin 1908.

Cvajg u përqendrua në mësimet e Sigmund Frojd, ndikimi i të cilit ndihet në gjithë krijimtarinë e tij, sidomos në analizat e tij biografike për njerëzit më të shquar të të gjitha kohërave (filozofë, burra shteti, mbretër e mbretëresha, shkrimtarë të shquar etj). Gjatë kohës në Salzburg, Cvajg filloi të besonte se persekutimi që Hitleri po u bënte hebrejve në atë kohë, lidhej direkt me vetë Cvajgun. Ai kurrë nuk u shërua nga ky fiksim, i cili rrjedhimisht u shndërrua në paranojë. Kur emigroi në Angli (jetoi në Bat dhe Londër), Cvajg kreu studime për librin e tij të ardhshëm ‘Mary, Mbretëresha e Skocisë’. Në atë kohë ai u takua përsëri dhe me Frojdin, me të cilin ish njohur në vitet 20. Në vitin 1938 ai botoi librin ‘Padurimi i zemrës’ (Ungeduld des herzens), një histori e zezë dashurie që tregon edhe njohjen e Cvajgut me teorinë psikanalitike të ndjenjës së fajit. Ndërsa në vitin 1938 Cvajg fitoi nënshtetësinë Britanike dhe në vitin 1940, pas një turneu të suksesshëm mësimdhënjeje në pothuajse tërë Amerikën e Jugut, ai u vendos në Brazil.  Në librin ‘Brazili-vëndi i së ardhmes’ (1941), Cvajg përshkruan bukur historinë, ekonominë, kulturën e vëndit duke dhënë përshtypje tepër interesante të cilat përputheshin dhe me thënien e Ameriko Vespucit kur zbuloi Tokën e Re, e cila thosh se “… nëse Parajsa ekziston në Tokë, ajo nuk duhet të jetë shumë larg prej këtu…”

Pin It