Sfida për t’u përballur me informalitetin dhe piraterinë vazhdon, kjo është një sfidë edhe ndërkombëtare. Do të vazhdojmë të mbrojmë Autorin dhe Veprën, sepse kreativiteti është pronë e njerëzimit, e kulturës, e dijes dhe e shoqërive që i konsumon ato.
Tashmë hyn në fuqi ligji për të drejtat e autorit i miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në 31 mars 2016.
Ligji shënon një ndryshim të rëndësishëm në mbrojtjen e të Drejtës së Autorit, duke u renditur kështu në një hap me legjislacionet më të avancuara në Europë për këtë fushë. Ligji i ri mbron dhe garanton kategorinë e krijuesve që asnjëherë s’kane përfituar mbrojtjen e merituar dhe njohjen me të drejta të plota të së drejtës së vet të pronësisë intelektuale. Ky ligj u njeh, mbron dhe garanton autorëve, mjedis të sigurtë dhe mundësi për të përfituar nga puna e veprave të tyre.
Autori e gjen veten të mbrojtur në këtë ligj, sidomos për garancitë ligjore që i jep, ç’ka bën që tregu intelektual të funksionojë në interes të krijuesve dhe të jetë dokumenti bazë për të shtrirë dhe zhvilluar veprimtarinë e tyre krijuese.
Ka filluar miratimi i akteve nënligjore të këtij ligji, të cilat do të japin efektet e para pozitive drejt standartizimit të tregut shqiptar me atë evropian. Ky proces i miratimit të këtyre akteve përfundon në fillim të muajit nëntor.
Ligji i ri për herë të parë pozicionon qartë palët në fushën e administrimit të të drejtave, ku autori do të ketë mundësi përfitimi nëpërmjet skemave të reja që janë parashikuar. Një tjetër garanci që buron nga ky ligj është rregullimi i marrëdhënieve të përfaqësimit agjenci – autor duke siguruar transparencë e llogaridhënie nga agjencitë për krijuesit dhe institucionet publike. Ky ligj tashmë e mbron autorin përballë veprimeve arbitrare të shkelësve dhe i jep mundësinë të shpërblehet për punën e tij krijuese.
Për herë të parë:
– krijohet sporteli unik, i cili krijon lehtësi për subjektet përdorues dhe i shërben formalizimit të tregut intelektual.
– kemi rregullime të nevojshme të thjeshta dhe të qarta për organin procedues, gjykatës dhe adresimin e problematikave në lidhje me masat paraprake, sigurimin e provave dhe zgjidhjen efikase të rasteve gjyqësore;
– vendosen kufinjve sa duhet të shpenzojnë agjencitë për të qenë eficentë dhe transparentë. Kështu shpërblimet e merituara të autorëve nuk shkojnë për asgjë tjetër përveçse në emër të tyre.
– rriten dhe forcohen sanksionet për shkelësit dhe abuzuesit me të drejta pasurore të autorëve;
– vendosen tarifat për shpërblim të drejtë, të cilat do të jenë të publikuara dhe të qarta për këdo.