Ashpërsohet Kodi, vijon ndjekja penale për dhunën në familje edhe nëse tërhiqet denoncimi

gjykata

Ndryshimet e fundit në Kodin Penal përforcojnë ndëshkimet për dhunën në familje. Sipas këtyre ndryshime kush ushtron dhunë ndaj anëtarëve të familjes në mënyrë të përsëritur do të ndiqet penalisht, edhe nesë denoncimi ndaj tij tërhiqet.

Projektligji i propozuar nga Ministria e Drejtësisë parashikon rritjen e masës së dënimit për dhunuesit e përsëritur të anëtarëve të familjes. Po ashtu për herë të parë ndjekja penale nuk do të pushohet edhe nëse e dëmtuara heq dorë nga denoncimi.

Marrja e një mase të tillë është cilësuar e nevojshme për arsye se shpesh pala e dëmtuar tërhiqte denoncimin ndaj dhunuesit nga frika ose presioni. Në disa raste, dhunuesit të cilët kanë shpëtuar disa herë drejtësisë, kanë vrarë më pas bashkëshortet. Vetëm gjatë vitit 2016, 9 gra janë vrarë nga burrat. Ndërhyrjet në kod pritet t’i japin fund kësaj praktike.

“Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish ­bashkëshort, bashkëjetues apo ish ­bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko­social dhe ekonomik të tij, kur kryhet për herë të parë, dënohet me burgim deri në 2 vjet. Në këtë rast, ndjekja penale bëhet mbi ankimin e të dëmtuarit dhe pushon kur ai heq dorë. Kur kjo vepër kryhet në mënyrë të përsëritur, dënohet me burgim deri në 3 vjet. Në këtë rast, ndjekja penale fillon mbi ankimin e të dëmtuarit dhe nuk pushon nëse hiqet dorë nga ankimi”, thuhet në projektligj.

Konkretisht, nisma ndryshon paragrafin e parë të nenit 130/a të Kodit Penal, ku përcaktohen dy masa dënimi për ata që ushtrojnë dhunë në familje. Kur vepra penale kryhet për herë të parë, parashikohet një masë dënimi deri në dy vjet burg, ndërsa në këtë rast çështja pushohet nëse e dëmtuara tërheq kallëzimin. Por nëse dhuna është e përsëritur, parashikohet një dënim deri në tre vjet burg, ku në rastin konkret, tërheqja e denoncimit nuk ka do të ketë asnjë efekt.

Ndërkaq, përpos ashpërsimit të masave ndaj dhunës në familje, ndryshimet ligjore parashikojnë që gjykata nuk mund të vendosë masën e arresti me burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë deri në 2 vjeç si dhe ndaj grave mbi moshën 60 vjeç.

Gjithashtu pritet t’i jepet fund zvarritjes së seancave gjyqësore. Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale synojnë të mbyllin çdo hapësirë dhe alibi nga avokatë, prokurorët, gjyqtarët apo palët në proces për të shtyrë seancat gjyqësore.

Pas nenit 341 të KPP, është shtuar neni 341/1, i cili parashikon që në rast se një avokat apo prokuror nuk është i pranishëm gjatë zhvillimit të procedurave gjyqësor pa ndonjë shkak të arsyeshëm ose pa të drejtë pengon apo vonon procedimin normal të seancave gjyqësore, gjykata, me kërkesën e palës ose palëve pjesëmarrëse në gjykim, kryetari i trupit gjykues mund ta dënojë me gjobë deri në 50 000 lekë.

Liri për të dënuarit e përjetshëm

Kodi i ri Penal u krijon mundësi të dënuarve me burgim të përjetshëm që të lirohen me kusht. Projektligji parashikon që çdo i dënuar me burgim të përjetshëm mund të lirohet, nëse plotëson tre kushte kryesore. Konkretisht, ligji i ri parashikon që, një i dënuar i cili vuan një dënim me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht nga gjykata nëse ai ka vuajtur të paktën tridhjetë e pesë vjet burgim dhe nëse gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe qëllimi i riedukimit të tij është arritur. “Bazuar në rekomandimit Rec (2003) 22, projektligji u krijon mundësi për të kërkuar lirimin me kusht të gjithë të burgosurit e dënuar, duke përfshirë të burgosurit e përjetshëm”, thuhet në relacionin e ligjit. Ligji i ri ndryshon pikërisht nenin 65 të Kodit aktual Penal, i cili ndalonte lirimin e të dënuarve më burgim të përjetshëm. Në paragrafin e dytë të këtij neni thuhet se vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht.

Pin It