Paketa fiskale, ndryshimet pritet të sjellin 6 mln euro përfitime

buxhet

Ndryshimet e bëra në paketën fiskale për vitin 2017 pritet t’i sjellin shtetit shqiptar rreth 6 milionë euro përfitime.  Ligji i miratuar në Kuvend në fund të vitit 2016 hyri në fuqi më datë 1 janar.

Kjo paketë fiskale parashikon rritje të akcizës 8 lekë për litër ndaj mjeteve të transportit, zgjerim të bazës së taksimit të makinave luksoze, dyfishim të akcizës për cigaret e luksit, ulje të rentës minerare për disa lloj mineralesh.

Sipas Ministrisë së Financave aplikimi i akcizës për gazin e lëngshëm në këtë vlerë synon përafrimin me standardet e BE-­së dhe të vendeve të rajonit që e taksojnë këtë produkt. Ndërkohë, akciza për purot dhe cigarillot e importuara do të dyfishohet, ndërsa për duhanin prodhim vendi do të ulet me 43%.

Po ashtu ka ndryshuar edhe klasifikimi i automjeteve luksoze duke ulur çmimin e taksueshëm të këtyre mjeteve, nga 7 milionë në 5 milionë lekë.

Një nga masat e reja fiskale të vitit 2017 është edhe reduktimi i Rentës Minerare për mineralin e destinuar për përpunim. Të ardhurat si rezultat i ndryshimit të përqindjes së taksës së rentës nga 4% në 3% për mineralin krom, pritet të jenë 0.1 miliard lekë.

Por, nga ana tjetër, do të aplikohen vlera referuese për bazën e taksimit të rentës, bazuar në çmimet e tregut ndërkombëtar dhe shitjet brenda vendit dhe për eksport. Efekti pozitiv i kësaj mase në të ardhura është llogaritur 500 milionë lekë.

Pin It