Të shohësh me sytë e shpirtit…

Dy burra, të dy shumë të sëmurë, ndanin një dhomë spitali. Njërit prej tyre i lejohej të ngrihej ndenjur në krevat çdo ditë nga një ore pasi kjo e ndihmonte në pastrimin e mushkërive. Krevati i tij ishte afër dritares së vetme të dhomës. Burri tjetër duhej ta kalonte gjithë kohën shtrirë për shkak të sëmundjes.

Ata kuvendonin me orë të tëra. Flisnin për të kaluarën, për shtëpinë, familjen, punën, rininë e tyre, kohën e shërbimit ushtarak, kohën e pushimeve etj. Çdo pasdite kur burri afer dritares ngrihej ndenjur, e kalonte kohën duke i përshkruar mikut të tij çdo gjë që mund të shihte jashtë nga dritarja.

Burri tjetër filloi të jetojë çdo ditë në pritje të këtij orari kur bota e tij e brendshme pasurohej dhe ndriçohej nga aktiviteti dhe ngjyrat e botës jashtë dhomës së spitalit. Nga dritarja shihej një liqen i mahnitshëm. Rosat dhe mjelmat luanin në ujë ndërsa fëmijët zbaviteshin me varkat e tyre lodra. çiftet shëtisnin të lumtur në lulishtet plot lule shumë-ngjyreshe dhe i gjithë qyteti mund të shihej si në pëllëmbë të dorës. Ndërkohë që burri pranë dritares i përshkruante të gjitha këto në detaje, burri në anën tjetër të dhomës mbyllte sytë dhe imagjinonte këtë panoramë.

Ditë, javë dhe muaj kaluan. Një mëngjes, infermierja erdhi t’u sillte ujë, por gjeti trupin pa jetë të burrit pranë dritates që kishte ndërruar jetë paqësisht në gjumë. E trishtuar, ajo lajmëroi personelin e spitalit për të marrë trupin e tij dhe të kujdesej për çdo detaj tjetër të rastit. Sapo situata në dhomë u normalizua, burri tjetër i kërkoi infermieres që të lëvizte tek krevati pranë dritares. Ajo e ndihmoi duke u siguruar që çdo gjë ishte mirë dhe pacienti ndihej rehat.

Ngadalë dhe me mundim, burri u mbështet në bërryla, duke u munduar të ngrihej. U zgjat ngadalë për t’i hedhur një sy botes jashtë, por u shtang kur pa se jashtë dritares ishte vetëm një mur. I habitur, burri e pyeti infermieren se si ishte e mundur që i ndjeri, ish shoku i tij i dhomes i kishte përshkruar gjëra kaq të mrekullueshme për pamjen jashtë kur aty ishte vetëm një mur. Infermierja i tha se i ndjeri kishte qenë i verbër dhe as që mund ta shihte murin. -“Ndoshta e ka bërë për të të inkurajuar ty” – u përgjigj ajo.
Morali:

Lumturia më e madhe gjendet atëherë kur mund të bësh dikë tjetër më të lumtur. Pikëllimi i ndarë me dikë tjetër përgjysmohet, ndërsa lumturia dyfishohet. Nëse do që të ndihesh vërtet i pasur, numëro të gjitha gjërat që i ke dhe që nuk mund t’i blesh me para.

Pin It