Teatër – Mehdi Malkaj dhe “I marri fisnik” ju ftojnë të reflektoni

1463673833vlcsnap-2016-05-19-18h02m35s54

Një mesazh për të gjitha kohërat dhe një ftesë për reflektim vjen për publikun përmes monodramës premierë “I marri fisnik”. Aktori i njohur Mehdi Malkaj do të interpretojë të shtunën në mbrëmje në skenën e Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” monodramën e realizuar mbi veprën e autorit Daut Gumeni.

Personazhi i monodramës është i vendosur në kohën e komunizmit, por sipas Malkajt ai i flet çdo kohe dhe thotë shumë edhe për kohën në të cilën jetojmë.

“Në kohë të marra vetëm të marrët thonë të vërtetën, se vetëm të marrët nuk kanë frikë nga marrëzia e kohës”, recitoi aktori i cili e cilësoi veprën si një himn për lirinë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp autori Daut Gumeni tha se është ndoshta pikërisht “marrëzia” ajo që bashkon personazhin, autorin dhe aktorin që janë marrë mirë vesh bashkë.  “Fjala na është dhënë për të thënë diçka. Ndërsa ai duke qenë i marrë nuk ka frikë nga koha, flitet për diktaturën, dhe për pasojë i thotë edhe disa të vërteta, që ata që e kanë mendjen në rregull nuk do t’i thonin dot”, thotë Gumeni.

Shkrimtari dhe aktori shpresojnë që publiku të marrë mesazhet e duhura dhe të reflektojë në lidhje me të vërtetat që do të mund ta ndihmonin shoqërinë shqiptare të dilte nga prapambetja.

 

Pin It