Temperaturat e larta, kujdesi gjatë verës

Rritja e temperaturave ka sjellë me vete dhe disavantazhe të shumta si: dehidratim, vështirësi me tretjen e ushqimeve dhe shqetësime me stomakun. Më poshtë do tju njohim me disa prej gjërave që duhet të shmangni në mënyrë që të mos përballeni me këto vështirësi.

Mos e teproni me kaloritë

Kur temperaturat janë të larta, energjitë tona pakësohen me 200-300 kalori në ditë. Trupit nuk i duhet të luftojë të ftohtin dhe si pasojë djeg më pak, kështu që bëni kujdes me racionet e tepruara dhe yndyrat.

Hani lehtë

Nga problemet që hasim në këtë periudhë, është edhe vështirësia ne tretjen e  ushqimit. Sekreti është të hani pak e shpesh dhe kryesisht ushqime që treten lehtë. Reduktoni mishin e kuq dhe shtoni konsumin e peshkut, që tretet lehtë nga stomaku, sepse ka pak kalori dhe është i pasur me acide yndyrore që luftojnë kolesterolin e keq. Shmangni sa më shumë ushqimet e skuqura dhe ato me shumë erëza, por jo të gjitha, sepse disa lloje erëzash edhe mund t’ju ndihmojnë në tretje. Të tilla janë mentja, kimioni, shafrani; speci djegës, xhenxhefili dhe piperi i zi. Ato e rrisin temperaturën e brendshme, nxisin djersitjen dhe japin një ndjenjë freskie (mund të provoni gjithashtu ujë me gjethe nënexhiku).

Kujdes me përhapjen e baktereve

Në këtë periudhë shtohet edhe rreziku i infektimit të ushqimeve nga agjentët patogjenë. Për të shmangur rreziqet e mundshme duhet të rrisni konsumin e kosit që mbron dhe forcon mbrojtjet natyrore të organizmit. Gjithashtu ndihmon edhe në përthithjen më mirë të vitaminave dhe mineraleve. Kosi mund të përdoret si përbërës në përzierjet e frutave të freskëta.

Kompensimi i mineraleve të humbura

Kundër humbjes së kripërave dhe lëngjeve të trupit duhen pirë të paktën dy litra ujë në ditë; të konsumohen shumë perime dhe fruta të freskëta që përmbajnë shumë ujë, 75% deri në 95%. Shmangni zierjen e zarzavateve, sepse kështu i “zhvishni” nga vitaminat dhe kripërat minerale. Gjithashtu nuk duhen konsumuar pijet e gazuara dhe ato me sheqer, pasi ato shtojnë kaloritë dhe janë të pasura me substanca të dëmshme për trupin. Mos e teproni me kafeinën.

Bëni kujdes edhe me ushqimet që janë shumë të nxehta ose shumë të ftohta, sepse ndikojnë negativisht në mekanizmat e rregullimit të temperaturave. Ndalohen pijet alkoolike, sepse rrisin djersitjen e mund të shkaktojnë dehidratim dhe ç’është më kryesorja kufizojnë përthithjen e vitaminave, sidomos të B-së që ka një rol thelbësor në shndërrimin e kalorive në energji.

Kujdes fëmijët dhe të moshuarit

Personat e rritur janë më të prirur ndaj dehidratimit, sepse me kalimin e viteve mekanizmi që rregullon ndjesinë e etjes mund ta humbasë efikasitetin. Ndaj është e këshillueshme që ta rregullojnë dietën e tyre me kalium e magnez, duke konsumuar shumë fruta dhe zarzavate, sidomos banane, kajsi, bajame, fara luledielli, marule dhe ushqime integrale. E rëndësishme është që në pjatë të jenë të gjitha substancat e nevojshme dhe të eliminohen ushqimet e kripura, pasi  shtojnë etjen. Për fëmijët është normale që gjatë verës të kenë mungesë oreksi dhe nuk duhet të sforcohen shumë që të hanë sepse janë mekanizmat e tyre rregullues, tepër të saktë, që sillen ndryshe me rritjen e temperaturave.

 

Pin It