Temperaturat e ulëta, ngrijnë pjesërisht lumenjtë

drini

Disa lumenj në qytete të ndryshme të vendit kanë ngrirë si rrjedhojë e temperaturave të ulëta. Temperaturat nën zero që pasuan reshjet e dëborës shkaktuan ngrica në të gjithë vendin.

Kështu lumi Fan i Madh ka ngrirë totalisht dhe në zona të caktuara ngrica ka krijuar pista akulli.

Gjithashtu kanë ngrirë sipërfaqe të mëdha të lumit Kir, në Bashkinë Shkodër dhe disa prej njësive administrative të saj. Një fenomen i tillë nuk mbahet mend prej 32 vitesh. Sipas banorëve të zonës, një situatë e tillë ka ndodhur vetëm gjatë viteve ’60 dhe në dimrin e vitit 1985.

Sipërfaqja më e madhe e ngrirë deri tani është në afërsi të Urës së Mesit në njësinë administrative Postribë, ndërsa segmentet me ngrica të pjesshme janë të pranishme deri në qytetin e Shkodrës.

Ujërat e lumit Drin në Lezhë gjithashtu kanë ngrirë, aq sa njerëzit mund të qëndrojnë mbi shtresën e akullit.

Po ashtu ka ngrirë edhe një pjesë e lumit Osum në Berat, ku formimi i shtresave të akullit është një fenomen i pazakontë për banorët e zonës.

 

Pin It