Terra Madre Balkans në Tiranë, promovohen ushqimet tradicionale

1038967

Rrjeti Terra Madre Balkans po organizon në Tiranë edicionin e katërt të panairit të promovimit të ushqimeve tradicionale “Slow Food”. Ky organizim mbahet për herë të parë në Shqipëri në sheshin “Nënë Tereza” dhe do të zgjasë deri më 5 qershor.

Panairi me temë “Në radhë të parë fermerët” organizohet nga Terra Madre Balkans dhe VIS Albania me mbështetjen e Slow Food, në partneritet me Ministrinë shqiptare të Bujqësisë dhe institucione të tjera.

Kjo është një lloj fushate kundër produkteve Fast Food të dëmshme për shëndetin dhe një mundësi për promovimin e prodhimeve tradicionale. Në event marrin pjesë 12 shtete: Bosnje Herzegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Rumania, Serbia, Turqia, Italia dhe Shqipëria.

Secili shtet ka stendën  e vet me prodhimet tradicionale. Shqipëria prezantohet me produkte të ndryshme tradicionale si djathi Mishavanë i zonës së Kelmendit në veri të Shqipërisë, Glikoja e Përmetit, vaj ulliri nga Elbasani etj.

Në program përfshihen edhe konferenca dhe diskutime me tema të ndryshme si ‘’Lufta kundër urisë botërore’’, ‘’Qasja në tregje, qasje drejt mundësive’’, ‘’Fermerët në krye!Konferenca Ndërkombëtare Shkencore’’, ‘’Turizmi i qëndrueshëm rural, agroturizmi dhe qasja drejt bujqësisë multifunksionale’’.

Dy edicionet e para të Terra Madre Balkans janë organizuar në Sofje dhe i treti në Dubrovnik.

Pin It