Tiranë: Nga 1 janari bashkia do të lehtësojë procedurat tatimore për 50 mijë biznese

2022675

Nga 1 janari Bashkia e Tiranës do të lehtësojë procedurat tatimore për 50 mijë biznese që veprojnë në kryeqytet si dhe do të shkurtojë afatet. Kryetari i bashkisë, Erion Veliaj ka prezantuar disa lehtësira gjatë mbledhjes së Këshillit Ekonomik të Tiranës.

“Buxheti i ardhshëm do të jetë akoma më shumë ambicioz se ky që kemi sot. Ne kemi parashikuar që të rrisim me 10 përqind buxhetin e Bashkisë për vitin 2017. Një rezultat konkret në efektin që kanë patur investimet në punësimin e qytetit. Sipas përllogaritjeve tona, në 100 kantiere që punojnë paralelisht sot në Tiranë, janë 10 mijë veta të punësuar. Ne do të shkojmë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak duke mos propozuar asnjë rritje takse për biznesin apo familjarët”, tha Veliaj.

Pajisja  me vërtetim për likujdim detyrimesh tani do të bëhet vetëm me kartë identiteti dhe brenda një dite, ndërkohë që më parë kërkoheshin certifikatë familjare, vërtetim i pagesës së taksës së pronës, taksës së banesës dhe duheshin tre ditë.

Po kështu, lehtësohet procedura për trajtimin e ankesave në aspektin juridik të bizneseve që tanimë do të zgjasë 10 ditë nga një muaj që duhej më parë. Regjistrimi i një biznesi të ri tanimë zgjat vetëm dy javë, ndërkohë që më parë nevojtej një muaj dhe dokumentacioni i kërkuar nga 7 reduktohet në 3,  ku mjafton një fotokojpe e kartës së identitetit, kontrata e qirasë dhe dokumenti i pronësisë  dhe formular deklarimi i pagesës së taksës së pronës.

Pin It