Tre çështje të rëndësishme për edukimin e fëmijëve

a) Edukata e të folurit

Gjithsesi, në një shtëpi, do të bisedohen punët që kanë të bëjnë me këtë botë, çështjet që lidhen me jetën. Ndërkaq, kur këto gjëra bisedohen në prani të fëmijës, duhet mbajtur para­sysh vazhdimisht prania e tij. Ndërkaq, po të ketë mun­dësi, çë­shtjet që nuk e interesojnë atë ose nuk i sjellin dobi atij, sido­mos gjërat që do ta shqetësonin atë, të mos bise­dohen në sy të tij. Sigurisht, veçoritë që do të zhvillohen në shpirtin e tij në një periudhë të caktuar, duhet të përcak­tohen shumë mirë dhe ai s’duhet të bëhet viktimë e gjërave të padurueshme për të. Kudo që të jemi, në shtëpi apo në punë, kur t’i kemi fëmijët pranë, ta­kimet dhe bisedat duhet t’i bëjmë duke pasur parasysh gjith­monë praninë e tyre.

Me sa të kemi mundësi, bisedat në sy të fëmijëve duhet t’i bëjmë mbi çështje të tilla si besimi te Allahu (xh.xh.), te të mirat e dhëna prej Tij dhe feja e tij. Parimisht, në shtëpi duhet të dis­kutohet për çështje që kanë lidhje me formimin dhe të ardhmen e fëmijëve në mënyrë që ata të rriten me vetëdijen që kërkojnë prindërit. Po qe se këto porosi pra­nohen si një recetë, një pjesë e madhe e problemeve që i përkasin të ardhmes së fëmijës ma­rrin zgjidhje që më parë. Ndërkaq, çdo periudhë e jetës së fëmi­jës do të ketë edhe problemet e veta specifike tek të cilat do të ndalemi kur t’u vijë radha.

b) Masa në bujari dhe dhembshuri

Një çështje tjetër që duam ta prekim këtu, është edhe zhvi­llimi tek fëmijët i ndjenjës së bujarisë dhe dhembshurisë, përga­titja e tyre si heronj dhembshurie. Edhe në këtë çësh­tje, rruga më e drejtë është shembulli personal. Fjala vjen, kur vjen di­kush te dera dhe shtrin dorën dhe burri me gruan dalin me du­art plot me gjëra për të dhe, me një sjellje për­vujtnie, ia dë­gjojnë me kujdes hallet, kjo bëhet për fëmijën mësimi më me efekt për edukimin e tij si njeri i dhembshur e bujar.

Ndjenja e dhembshurisë te fëmijët është edhe e trashë­gue­shme. Për shembull, disa fëmijë, qysh të vegjël, përloten shpejt. Kjo është shenjë se ata në të ardhmen do të bëhen njerëz pak a shumë të ndjeshëm, të brishtë, delikatë. Ç’ë­shtë e vërteta, disa herë fëmijët përloten për të tërhequr vë­mendjen ose për të arri­tur që t’u plotësohen dëshirat, por përlotja e ndjerë është diçka tjetër. Qoftë kështu apo ashtu, po qe se mendojmë t’i kemi ose të na bëhen fëmijët të butë, bujarë dhe të dhembshur, duhet ta bëjmë familjen një mje­dis të ngrohtë, të butë, plot dashuri dhe dhembshuri mes pjesëtarëve të saj.

Rritja e fëmijës si koprrac ose, siç thotë populli, dorë­shtrë­nguar, të dhënë pas interesave dhe mirëqenies mate­riale, mund të quhet shkak që, në vartësi të disa kushteve të caktuara, ai të bëhet egoist, interesaxhi, ambicioz, ekspansiv dhe kundër­shtu­es. Po qe se një fëmijë i tillë nuk rritet sipas moralit hyjnor, kjo gjendje përbën për të fatkeqësi si për jetën e kësaj bote, ashtu dhe për jetën e pasosur të tij.

Mëshira dhe dhembshuria janë shumë të rëndësishme. Buja­ria është shfaqje e një shpirti të tillë. Heronjtë e dhe­mbshurisë janë gjithmonë të humbur materialisht. Por bujari mund të hyjë në xhennet edhe në qoftë mëkatar apo here­tik, kurse mundësia e besimtarit koprrac për të hyrë në xhe­nnet është e ulët. Pran­daj fëmijëve u duhet zhvilluar ndjenja e keqardhjes dhe dhemb­shu­risë, u duhet shtuar ndjenja e dhënies dhe mirëbërësisë me qëllim që të mos bëhen am­biciozë e të jepen pas interesave të kësaj bote, për rrjedhojë, t’i harrojnë Allahun dhe njerëzit. Sigu­risht, do t’ia mësosh fëmijës të dhënët që të mos bëhet materia­list, që në jetën shpirtërore të lidhet pas Allahut. Ndërkaq, le ta kujtojmë edhe një herë se, të dhënët, përsa i përket vlerës si shembull personal i edukatorit, po s’u tregua praktikisht dhe po s’u mbështet edhe me fjalë, nuk ka ndikim. Kur veprojmë, fjalët që i shoqërojnë veprimet bëhen ndikuese si frymëmarrje en­gjëjsh.

c) Shpërblimi

Fëmija duhet shpërblyer në raport me suksesin që arrin. Ndërkaq, duhet të theksojmë se qoftë në çështjet e jetës be­si­more-fetare, qoftë në çështjet materiale të kësaj bote, shpër­blimi për çdo arritje ose sukses legjitim është domos­doshmëri e moralit hyjnor.

Nga ky këndvështrim, “nënë dhe baba” do të thotë pak edhe mendimtar, erudit dhe edukator. Prindërit do të dinë, do të mendojnë, do të vëzhgojnë, do të kujdesen për fëmijët dhe do të dridhen mbi kokë të fëmijëve. Sigurisht, po qe se prindërit nuk do t’u japin rëndësi fëmijëve sa ç’u japin ma­kinës, kopshtit ose arës, është e qartë se ata do të mbeten të pazhvilluar në ndje­nja e mendime ose, e thënë ndryshe, me ndjenja e men­dime të atrofizuara. Edhe në këtë rast, ashtu siç u parashtrua më lart, kur është fjala për edukimin tek fëmijët të ndjenjave të larta, duhet t’i drejtohemi burimit ba­zë që është morali i Allahut (xh.xh.). Atyre që bëjnë punë të mira, Allahu u jep në jetën tjetër xhennet, kurse atyre që bëjnë punë të këqia, ndëshkim.

Kur’ani thotë: “Po qe se falënderoni, edhe unë jua shtoj të mirat; po qe se tregoheni mosmirënjohës, ndëshkimi im është shumë i rëndë!” (Kur’ani, Ibrahim, 14/7)

Dhe, të pajisur me moralin e Allahut, do të përpiqemi që sje­lljet dhe qëndrimet tona para fëmijës t’i kemi aq të ma­tura, sa edhe Allahu të mos na shtyjë ne në vetmi!

Pin It