Urtësia e të sprovuarit të njerëzve

Në ajetin 155 të sures Bakara thuhet: “Ne do t’ju provojmë me pak frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria, jeta dhe prodhimet, por t’i përgëzoji të duruarit!”

Njëra nga provat është frika. Njeriu frikësohet nga tërmeti, uria, etja, armiku materialo-shpirtëror dhe të gjitha këto bëhen provë për të.

Prova bëhet edhe me uri. Në periudha të ndryshme, bashkësia muhammediane i është nënshtruar formës më të ashpër të urisë. Sot nuk bëhet fjalë për një provë të tillë. Edhe sot ka uri e mjerim, por këto janë disa goditje të domosdoshme ndaj shpenzimë dhe shpërdorimeve të njeriut të sotëm. Kurse brezat para nesh, veçanërisht njerëzit e dy shekujve të fundit, nën dhunën e armiqve të jashtëm e të brendshëm, i janë nënshtruar urisë më të pamëshirshme. Sot ndoshta ka uri në disa vende të Afrikës, por kjo është një goditje për ta që buron nga shpërdorimet e tyre.

Pakësimi i mallit dhe pasurisë, nga një aspekt, siç mund të ndodhë me anë të fatkeqësive të ndryshme, mund të ndodhë edhe me heqjen e prodhimit (produktivitetit, begatisë). Edhe kjo është një nga llojet e proves. Në ditët tona, inflacioni është forma më e vështirë e këtyre provave.

Kurse pakësimi në jetët mund të kuptohet edhe me vrasje, me vdekje, edhe me privimin nga të drejtat për të jetuar si njeri. Bota islame mund të provohet me humbje jetësh gjatë luftërave kundër sulmeve të jashtme, por edhe me izolimin e individëve nga jeta e bashkësisë dhe trajtimin si qytetarë të dorës së tretë.

Të gjitha këto janë prova të Zotit dhe muslimanët janë duke u provuar. Në ajet përdoret fjala semerat që do të thotë fruta. Allahu i pakëson prodhimet e pemëtorëve dhe vreshtave me anë të sëmundjeve dhe fatkeqësive dhe me këto na vë në prove ne. Gjithashtu, Zoti na provon me rezultatet dhe përfundimet e të gjitha llojeve të punëve e përpjekjeve, gjë që është përsëri prove me fryte. Këto prova ose janë të lidhura me mëkatet tona të ndryshme, prova me të cilat Zoti kërkon të na paralajmërojë dhe të na sjellë në vete, ose për të na e rritur nivelin shpirtëror, gjë që do të thotë favor i Zotit për ne.

Durimi dhe besnikëria dallohen vetëm me anë të provave. Të gjithë ata që nuk largohen nga porta e Zotit pavarësisht nga çdo lloj vështirësie, ata që janë të vendosur për të qëndruar aty, do ta fitojnë këtë prove. Kurse ata që ndryshojnë drejtim e rrugë ose ata që largohen nga porta për pak shqetësime, do të jenë nga të humburit.

Kur Profeti përballej me ndonjë ngatërresë, shqetësim apo fatkeqësi, menjëherë merrte abdest dhe qëndronte në namaz. Këtë të vërtetë e tregon ajeti:

“Kërkoni ndihmë nga Allahu me durim dhe namaz” (Bakara, 2:153)

Sipas shumë gjasave, me këto prova, Zoti nxjerr  në dukje durimin, përballimin, besën dhe besnikërinë tonë, kështu, kërkon të theksojë edhe favoret e veta, edhe vlerat tona të vërteta. Po, Ai do ta masë durimin dhe besnikërinë tuaj me qëndrimin që do të mbani gjatë provave dhe do t’u tregojë juve se kush jeni gjersa personi të mos ketë ndonjë prove kundër Zotit. Ndoshta, pas kësaj, njeriu do të pohojë gabimet e veta, pendimin dhe përvojën e fituar për mënyrën se si duhej të sillej e se si duhet të sillet në të ardhmen.

Njeriu vihet në prove edhe në kohët kur është me të drejtën dhe në rrugë të drejtë. Sipas shprehjeve të shumë haditheve, porosive profetike, Allahu e provon robin, i lëshon mbi krye ngatërresa, shqetësime dhe fatkeqësi të ndryshme gjersa robi të dalë para Tij krejt i pastër dhe të shëtisë krejt i kënaqur nëpër majat parajsore…

Edhe ne do të provohemi, do të shoshitemi e do të pastrohemi shumë herë. Kështu, thelbi do të ndahet nga lëvozhga dhe metali i pastër nga minerali. Veçanërisht në ditët tona ndihet nevoja e një prove të tillë për t’iu bërë pengesë deviatorëve që kanë për të dalë në shesh në të ardhmen. Prandaj, prova mes atyre që janë kandidatë për t’ia vënë supet kauzës hyjnore, për ta bartur ate, është një faktor shumë i rëndësishëm. Këtë prove po e bën personalisht Zoti dhe ka për ta bërë. Ajo që na takon neve, është të mos ndahemi nga kjo portë, por të qëndrojmë para saj me besnikëri.

Pin It