Valbona merr një nur tjetër, bie dëbora e parë

Pas një situate të rënduar nga përmbytjet, në një pjesë tjetër të Shqipërisë dëbora e parë ka rënë. Nga Valbona, njoftohemi se vizitorët e fundjavës kanë mbërritur atje. Turizmi i borës apo i bardhë ka filluar.

Lugina e Valbonës e ka prishur bardhësinë e saj nga skiatorët dhe gjurmët e  vizitorëve  të fundjavës. Valbona të emocionon në çdo stinë, edhe tani në këtë fillim dimri,ajo ka marrë një tjetër nur. Ka hequr petkun e gjelbër dhe është veshur me të bardha.

Në çdo stinë, Valbona, është një sinonim i së bukurës. Edhe rrugët drejt saj, janë një vrapim piktoresk mes malesh. Janë disa rrugë që të çojnë në Valbonë, të gjitha lidhen me malet.

Ajo përmes luginës së Komanit që përfundon në Fierzë e mandej në Valbonë, kalon mes ujit dhe maleve.  Një tjetër lidhet me Rrugën e Kombit, nga Tropoja e Vjetër e në Valbonë, nga Prizreni, por dhe nga Qafë-Mali kur nuk ka borë. Të gjitha të çojnë drejt së bukurës Valbonë…

Ndoc Mulaj, natyralisti dhe miku i mjedisit, raporton se bora tashmë ka shtruar në luginë dhe ka boll vizitor që kanë mbërritur aty.

Gjatë ditës organizohen piknik në bjeshkë, duke soditur majat e mbuluara me borë dhe duke shijuar ushqimet karakteristike të zonës të përgatitura për periudhën e dimrit.

Valbona është e bukur dhe mikpritëse në çdo stinë dhe vizitohet në çdo kohë./ATA/

Pin It