Veliaj dekoron Hajrie Rondon me Medaljen e Mirënjohjes

14716167_10154655484191926_5397621346699508387_n
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dekoroi aktoren Hajrie Rondo me Medaljen e Mirënjohjes në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë ndër vite në teatër dhe në film, duke u shndërruar në një model frymëzimi për brezat e mëvonshëm të aktorëve.

Dekorimi vjen pas rikthimit të aktores Hajrie Rondo në teatrin Metropol me pjesën “Tre dhëndurët”. Aktorja Hajrie Rondo falenderoi Bashkinë e Tiranës për këtë vlerësim dhe theksoi se vetëm me punë dhe vullnet mund të arrihet çdo sukses, duke përballuar edhe sfidat që sjell jeta.

Rikthimi i saj në skenë vjen pas një beteje të gjatë me sëmundjen e kancerit të gjirit.

“Faleminderit që kontributi dhe jeta ime ka qenë në vëmendjen tuaj. Në jetën time kam pasur si lajtmotiv që ta shoh dhe ta përjetoj me ngjyrat më të bukura. Një nga këto ngjyra është ajo e profesionit që kam zgjedhur. Ne kishim premierën në Teatrin e Metropolit dhe unë jam pjesë e asaj shfaqje. Kur dy zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, më bënë ofertën isha në dilemë: ta marr apo jo? Të rri në shtëpi, të mbyllem dhe të bashkëbisedoj e trishtuar me sëmundjen, apo t’i them asaj def, ik tutje, sepse kam punë? Zgjodha këtë të dytën, bëra mirë dhe ia dola. U lodha një çikë, por stafi, drejtoresha, regjisorja dhe kolegët, ma amortizuan dhe ma lehtësuan sëmundjen. Betohem dhe të jap fjalën se do të luftoj, do të luftoj fort t’i ngjit prapë ato shkallë, ajo është shtëpia ime”, u shpreh aktorja Rondo.

Pin It