VISARE SHQIPTARE – PRODHIMET BUJQËSORE SHQIPTARE

 

Tema në visaret e kësaj jave ishte mbi prodhimet shqiptare, për specialitetet e bujqësisë së vendit e cila është cilësuar si një minierë e artë. Kjo bisedë u zhvillua me ish ministrin e bujqësisë z.Hasan Halili.

Ish ministri e filloi bisedën duke treguar se tokat tona mund të prodhojnë çfarë do lloj produkti bujqësor që i përkasin zonës paraekuatoriale, joveriore dhe joekuatoriale. Edhe pse bujqësia ka pasur luhatjet e saj,prodhuesi shqiptar i është përshtatur terrenit si në fushë edhe në pjesën kodrinore-malore ku terreni kërkon më shumë djersë dhe mund.

Duke folur për konkurueshmërinë e produkteve tona ai tha se konkurueshmëria është e pandershme.Gjatë bisedës doli në pah çështja e përdorimit të produkteve të tjera të rajonit dhe jo atyre të vendit, për shembull mollët e Korçës, apo patatet e Kukësit të cilat arrijnë deri në kalbje dhe nuk përdoren. Z.Halili tha se prodhimi i tyre duhet të orientohet në disa alternativa tregëtimi dhe jo vetëm në formën e tyre standarde. I takon prodhuesit ta mendojë që mollën ta ofrojë edhe në variante të tjera, siç mund të jetë nxjerrja e lëngut të mollës dhe eksportimi i tyre.

Ish ministri shpjegoi edhe arsyen pse këto mollë merren nga Maqedonia, për shkakun se ajo ka të krijuara kombinatet agroushqimore të cilat bëjnë kontratën mes prodhuesit dhe eksportuesit, duke qënë e tillë prodhuesi shqiptar me 5-6 dn konkurohet lehtëshëm nga prodhuesi me 50 ha mollë.

Ndërsa përsa i përket cilësisë së prodhimeve shqiptare, z.Hasan tha se ato janë shumë më cilësore sesa prodhimet e tjera të marra nga jashtë..I pyetur nëse ka prodhime bio në Shqipëri ai përgjigjet që ka prodhime bio edhe për faktin që vendi ynë nuk ka kapacitetet për të blerë plehrat kimike në përmasat që përdor Europa dhe Bota.

Më tej u fol sesi mund të punohet më mirë toka shqiptare. Për këtë duhen bërë studime tha ish ministri, nuk ka toka shterpë por mendje që duhet të mendojnë sesi ti kthejnë zonat që të prodhojnë prodhimet e duhura sipas kulturave.

‘’Toka duhet mësuar të trajtohet njësoj si gjallesat e tjera të gjalla.Nëse ka harmoni mes tokës, bimës dhe njeriut ne e kemi të garantuar që mund të prodhojmë çfarë të duam në këtë brez gjeografik që jemi.’’

Në bisedë gjithashtu u fol për disa produkte të regjistruara në ‘’Arkën e Shijes’’ që përbëjnë katalogun e produkteve që janë në rrezik. Ndër to ishte glikoja e Përmetit, djathi Mishavine që prodhohet nga barinjtë e Kelmendit. Një tjetër ishte edhe rehania e cila prodhohet në të gjithë zonën, një pije zëvendësuese e pijeve të dëmshme.

Z.Halili nënvizoi nevojën që këto produkte të konsolidohen në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar duke u mbikqyrur dhe mbështetur nga specialistët e bujqësisë.

Ndër të tjera ish ministri tha se ekzistojnë edhe produkte për të cilat vendi ynë njihet përtej kufinjve, një ndër to ka qënë sherebela e rritur në Malësinë e Madhe, zonën e Lezhës. Ndërsa çaji i malit ka filluar të përdoret edhe nëpër çajtoret e Shqipërisë, me një shërbim të këndshëm dhe cilësor.

Drejt fundit të bisedës z.Halili përmendi edhe bimët medicinale, ku tha se vendi ynë ka rreth 2000 bimë të tilla, por për shkak të mungesës së strukturave për t’i mundësuar kushtet këto bimë nuk përdoren siç duhet dhe kështu njerëzit ngelen te ilaçet e farmacive.

Biseda u mbyll me këshillën për të punuar me mekanizmat dhe planet e duhura në bujqësi pasi nga aty fillon edhe zhvillimi i sektorëve të tjerë, të cilat janë kusht për një jetësë më të mirë.

 

 

 

 

 

Pin It