Ndërron jetë në moshën 80 vjeçare Kryetari i Nderit të KMSH-së, Haxhi Selim Muça

selim-muca-7 Të Zotit jemi, dhe te Zoti do të kthehemi…

Ndërron jetë në moshën 80 vjeçare Kryetari i Nderit të KMSH-së, Haxhi Selim Muça

Sot ka ndërruar jetë dhe është nisur për në udhën e pafundme një prej drejtuesve më të spikatur të myslimanëve shqiptarë, Haxhi Selim Muça.

Haxhi Selimi ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Tiranë në moshën 80 vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, prej së cilës vuante prej kohësh.

Haxhi Selim Muça, do të mbahet mend si drejtuesi që e reformoi KMSH dhe punoi shumë për bashkësinë islame shqiptare. Ai ndërmori hapa konkretë për institucionalizimin e punës së KMSH në mbarë vendin dhe për gjallërimin e jetës shpirtërore të besimtarëve muslimanë.

Gjithashtu ai do të kujtohet e vlerësohet për frymën e tij përherë pozitive dhe prioritetin që i jepte dialogut, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës ndërfetare në Shqipëri dhe të gjitha hapsirat e banuara nga shqiptarët në Ballkan.

Haxhi Selim Muça e drejtoi Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për dhjetë vite (2004-2014) dhe me gjithë pengesat e moshës dhe të shëndetit, ai punoi dhe u angazhua deri ditën e fundit në mbështetje punës së KMSH. Si një bashkëshort shembullor, baba dhe gjysh i dashur, ai la pas bashkëshorten e tij Zisën dhe tre fëmijët, Arjanin, Almën dhe Ermalin.

Bashkohemi në këtë hidhërimin tonë të përbashkët dhe lusim Zotin ta bëjë një prej robërve të tij të xhenetit.

Lusim Zotin e madh për mëshirë për shpirtin e tij!

Ceremonia Mortore për nder të Haxhi Selim Muçës:

14:00 – 15:00 Pritja dhe homazhet në ambientet e Medresesë së Tiranës

15:00 – 15:20 Falja e namazit të xhenazes në Xhaminë e Medresesë

15:20              Përcjellja e xhenazes për në varrezat e Tufinës

Jetëshkrim i Haxhi Selim Muçës

Haxhi Selim Muça rrjedh nga një familje me tradita islame. Babai i tij ka qenë Imam deri në momentin e ndërrimit të jetës në fshatin e lindjes. Me fillimin e proceseve demokratike, është angazhuar totalisht në shërbim të Islamit dhe ringritjen e institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë: Eksperienca në Punë:

  1. 1964-1991 – Ndërmarrja Gjeologjike- Bulqizë-Dibër në funksionin e Inxhinierit Gjeodezi-topografi-hartografi.
  2. 1992-1994 – Inspektor Arsimi në Komunitetin Mysliman.
  3. 1994 (4 muaj) – Myfti i Elbasanit.
  4. 1994-1995 – Në dispozicion të Myftinisë Lezhë dhe Vlorë.
  5. 1995 deri ne Mars 2004 Shef personeli në KMSH
  6. 2004-2014 Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
  7. 2014-Kryetar Nderi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Haxhi Selim Muça gjatë detyrës së tij si kryetar i KMSH-së, ka qenë një vizion i ri për Islamin shqiptar me zgjedhjen e tij në vitin 2004 deri në vitit 2014.

Haxhi Selim Muça ka qenë kështu lideri i dytë i myslimanëve shqiptarë në periudhën e demokracisë, duke zëvendësuar në këtë post Haxhi Hafiz Sabri Koçin. H. Selim Muça ka ndikuar në specializimin e kuadrove të KMSH-së dhe zëvendësimin e tyre me kuadër të rinj, duke rifreskuar postet më të rëndësishme në të gjithë kryesinë dhe nëpër myftini në të gjithë Shqipërinë. Disa prej anëtarëve të kryesisë drejtuar nga ai tashmë janë edhe me grada shkencore, sajë bursave që janë siguruar në marrëveshjet me Komunitetin Mysliman. Kreu i ri i myslimanëve shqiptarë i kompletuar me arsimin teologjik dhe atë laik, ka sjellur me vete një CV (curriculum) të gjerë. Ai ka kryer medresenë e Tiranës dhe shkollën e mesme të përgjithshme në kryeqytet. Më pas Haxhi Selim Muça ka vazhduar studimet universitare në degën e Inxhinierisë Gjeodezi-Hartografi në Çeki. Kështu ai zotëron mjaft mirë gjuhën çeke. Në fillim të viteve 90’ me devotshmëri dhe përkushtim, ai merr pjesë aktive në rigjallërimin e strukturave të fesë Islame në Shqipëri dhe luan një rol të rëndësishëm në punën e Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke kryer disa detyra.

Haxhi Selim Muça është evidentuar si një prej emrave të përshtatshëm për postin e kreut të Komunitetit Mysliman, për frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit, seriozitetit dhe ideve gjithëpërfshirëse që e karakterizojnë. Kjo u bë e qartë edhe në zgjedhjen e tij në 2004 në Këshillin e Përgjithshëm të KMSH-së, ku Haxhi Selim Muça mori 78 % të votave nga anëtarët e pranishëm.

Ne fokusin e prioriteteve dhe veprimtarisë së z. Selim Muça, një vend të veçantë ka zënë edhe çështja për ndërtimin e xhamisë qendrore në Tiranë. Ai ka ndërmarrë angazhime dhe përpjekje të konsiderueshme, si me anë të negociatave për ndjekje të procedurave dokumentare, ashtu dhe atë te korrespondencës zyrtare me Komitetin Shtetëror për Kultet, Bashkinë e Tiranës, Kryeministrinë dhe KKRTSH-në.

Vlen te theksohet se në fokusin e prioriteteve të z. Muça, i është kushtuar një vëmendje trajtimit të çështjes së njohjes, rikthimit dhe kompensimit të pronave të vakfit.

Trajtimi me përparësi ka konsistuar duke përcaktuar fonde te konsiderueshme për sigurimin e dokumentacionit, përgatitjes se dosjeve dhe hapjes se proceseve gjyqësore për raste e veçanta. Kështu është bërë evidentimi i pronave në shifrën 90%. Nën drejtimin e z. Muça janë nxjerrë nga arkivi mbi 1000 dokumente pronash. Gjatë kësaj periudhe të mandatit 5-vjeçar, janë futur për legalizim gjithashtu edhe rreth 550 xhami.

Një nga strategjitë kryesore të z. Muça, ka qenë gjithashtu edhe ngritja e sistemit dhe nivelit arsimor nëpër medrese, tej standardeve qe ka vendi ynë.

Në këndvështrimin e aktiviteteve ndërinstitucionale të KMSH-së mund të përmendet realizimi i një sërë veprimtarish në nivel të lartë drejtuesish në konferenca e seminare të organizuara nga institucione vendase dhe te huaja, siç është zhvillimi i aktivitetit institucional diplomatik i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës nëpërmjet takimeve të zhvilluara me ambasadorë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, si dhe përgatitja e deklaratave drejtuar organizmave ndërkombëtare si Organizatës se Kombeve të Bashkuara, Organizatës së Konferencës së Vendeve Islamike, etj. Njëkohësisht mund të përmenden edhe pjesëmarrjet aktive të z. Muça në takime, vizita pune e konferenca ndërkombëtare të zhvilluara në Angli, Gjermani, Itali, Japoni, Turqi, Arabi Saudite, Egjipt, etj.

Në vitin 2016 Haxhi Selim Muçës I është akorduar titulli Doctor Honosic Causa nga Universiteti BEDËR me motivacionin: “Për kontribut të shquar në ngritjen e vlerave të besimit dhe të forcimit të harmonisë dhe bashkëjetesës mes besimeve të ndryshme në Shqipëri”

Pin It