VISARE SHQIPTARE – Veglat muzikore shqiptare, pjesë e çmuar e kulturës

muzike

Visari i rradhës këtë javë ishte mbi veglat muzikore shqiptare, si një pasuri e çmuar e kulturës sonë kombëtare. Ishim në studio me z. Ermal Sela, muzikant dhe koleksionist.

Fillimisht i ftuari na prezantoi me kategorinë e ndarjes së muzikës shqiptare ku përmendi Ahengun Shkodran, Muzikën Qytetare Shkodrane, Jaret Shkodrane, Formacioni i Sazeve, Polifonia, Rapsodët, Vallet, Fyejt e Gramshit, Pleqtë e Krujës, Grupi Lira i Korçës, Pleqtë e Beratit.

Në vijim të prezantimit të veglave muzikore Ermali tha se i kemi të trashëguara që me ekzistencën e popullit shqiptar, po më së shumti u dalluan në festivalet e para shqiptare ku dhe u studiua, hulumtua mbi këto vegla.

Instrumentat muzikore dallojnë nga zona në zonë. I ftuari përmendi Lahutën, për të cilën tha se e gjenim më shumë në veri të Shqipërisë, aty mendohet të jetë shtëpia e lahutës. Eshtë një vegël e përdorur vetën nga lahutari, ndaj është edhe më e sfumuar e nuk gjendet në çdo vend të Shqipërisë. Lahuta ka pasur një rol të rëndësishëm në Shqipëri, i është kënduar trimave, vlerave. Ka qenë një vegël e paekspozuar në publik, e për lahutën ka dhe një shprehje “ Kur lahuta ka rënë,fëmija në djep ka pushuar së qarë”,këtu tregohet respekti dhe vlera që kishte kjo vegël.

Ndërsa çiftelia, një tjetër vegël e njohur nga publiku konsiderohet më praktike, shoqërohet me vegla të tjera.

Nëse zbresim në Shqipërinë e mesme, në Tiranë kemi muzikë qytetare ku dallohet dajreja, klarineta, firzamonika, pipëza, etj. Ermali thotë se sa më poshtë të zbresësh fillon edhe diapazoni i veglave të zgjerohet.  Më tutje kemi bilbilat, kavallin, fyejt e në këtë mënyrë vazhdon të zgjerohet deri në jug ku dalin sazet, polifonia, luga bilbil, pipëzat, etj.

Një tjetër çeshtje që u prek ishte dhe materiali përbërës i veglave muzikore. Madhësia bashkë me përbërësit japin karakteristikën e zonës ku interpretohet ky instrument.

I ftuari tha se veglat muzikore e pranojnë edhe ndryshimin, që instrumentat të zhvillohen, por brenda rregullave. Për shembull klarineta nuk është shqiptare, por luajtja e një muzike shqiptare me të, e bën elementin e ri të pranueshëm.

Në fund të bisedës Ermali foli për punën e tij si koleksionist dhe kontributin e veçantë që po bën në ruajtjen e kësaj pasurie kulturore shqiptare.

Për më shumë mund ta ndiqni bisedën në:

https://soundcloud.com/spektrum-group/visaret-shqiptare-veglat-muzikore-shqiptare-pjese-e-cmuar-e-kultures

 

Pin It