Viti akademik, Basha: Më i trishti i 26 viteve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi fillimin e vitit të ri akademik 2016-2017 si më të trishtin e 26 viteve të fundit.

Basha kritikoi reformën në arsim dhe skemën e pranimit në universitete, duke thënë se ndryshimi i rregullave i drejtoi studentët tek universitetet private. Ai e cilësoi politikën e ndjekur nga Ministria e Arsimit si arbitrare dhe armiqësore ndaj maturantëve.

“Nuk ka pasur në keto 26 vite nisje më të trishtë të universitetit se sa sot. I lanë bosh gjysmen e auditoreve, për shkak të politikës armiqësore me maturantët. Gjysma e këtyre 18 vjeçarëve ëndërrimtarë e idealistë janë rrugëve, ende pa përgjigje, në pritje të tepricave që do lërë reforma e Edi Ramës. Po para kësaj, ata e të gjithë maturantët e vendit kaluan 2 muaj ferri, sepse nuk ishin në dorën e meritës e aftesive, mundit e djersës, por nën masën arbitrare, skandaloze të Edi Ramës, i cili ndryshoi papritur rregullat e lojës. Dekani i Ekonomikut në UT, thotë se maturantët më të mirë kanë bërë zgjedhje nën presion, ose tek privati, ose në degë jo me emër, nga dëshpërimi për të mos humbur krejtësisht 3 vitet e maturës. Dramë e madhe. S’ka si quhet ndryshe kjo e Edi Ramës, që vazhdon ta pompojë si sukses,” deklaron Basha.

Pin It