Zbatimi i sistemit të referimit, ulen çmimet për të pasiguruarit në spitale

spital

Ulen çmimet e ekzaminimeve shëndetësore që kryhen në poliklinika dhe spitale për të gjithë ata persona që janë të pasiguruar por që do të zbatojnë sistemin e referimit. Ky ka qenë vendimi më i fundit i marrë nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj duke bërë të mundur uljen e pagesës nga 60-­80 për qind për të gjitha llojet e ekzaminimeve.

Sipas këtij urdhri në rastet se një person nuk zbaton sistemin e referimit ai duhet të paguajë çmimet reale të ekzaminimeve. Kurse nëse ndjek sistemin e referimit çmimet do të jenë disa herë më të lira. Kështu, pacienti fillimisht duhet të shkojë tek mjeku i familjes, në rastet kur ky i fundit gjykon se pacienti ka nevojë më të specializuar me anë të një rekomandimi e dërgon tek mjeku specialist. Kur pacienti paraqitet tek mjeku specialist duhet të jetë i pajisur me kartë identiteti dhe rekomandim nga mjeku i familjes.

Në këto raste ai duhet të paguajë çmimet më të ulëta të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë. Për shembull nëse një person i pasiguruar ka të nevojshme kryerjen e një ekografie, ajo kushton 1000 lekë në rastet kur pacienti nuk ndjek sistemin e referimit. Në rast se pacienti do të shkojë fillimisht tek mjeku i familjes dhe më pas tek specialisti për kryerjen e kësaj ekografie do të paguajë vetëm 200 lekë. Ndërkohë pacientët të cilët janë të siguruar vetëm me paraqitjen e kartës së shëndetit dhe asaj të identifikimit i përfitojnë të gjitha këto ekzaminime falas. Mjeku i familjes Një pikë tjetër e rëndësishme e këtij vendimi është heqja e pagesës tek mjeku i familjes për të gjitha kategoritë. Kështu nëse një person i pasiguruar duhet të paguante 1000 lekë për vizitën që duhet të kryente tek mjeku i familjes tashmë ajo është pa pagesë. Vendimi për heqjen e pagesës ka hyrë në fuqi para një jave dhe përfitues të saj janë të gjitha kategoritë. Urgjencat Sa i përket rasteve të urgjencave, urdhri parashikon që të gjitha rastet të cilat referohen për trajtim spitalor nga shërbimi ambulator duhet të kenë rekomandim nga mjeku i familjes.

Pin It