DAP, ja skema e re e punësimit

Qeveria-rrit-pensionet

Departamenti i Administratës Publike, në udhëzimin e publikuar , sqaron se  skema e re e pikëzimit të individëve që do të garojnë për një vend pune në administratën shtetërore është e ndarë në tre faza, e para është paraqitja e CV, e cila ka 15 pikë, më pas testimi me shkrim që ka maksimumi 70 pikë dhe në fund testi me gojë që shkon në 15 pikë. Por në testin me gojë do të përfshihen vetëm ata që kanë marrë mbi 40 pikë në provimin me shkrim.

Kandidatët që prekin mbi 70 pikë do tu ofrohet një vend pune në shtet. Pas përzgjedhjes në bazë të CVsë nis testimi me shkrim. Kohëzgjatja e vlerësimit me shkrim vendoset nga KPPja në bazë të numrit të pyetjeve të dhëna, por nuk duhet të zgjasë më shumë se 2 orë. Ndërsa Intervista e strukturuar me gojë mund të organizohet për një ose disa ditë në bazë të numrit të kandidatëve.Intervista e strukturuar me gojë fillon të zhvillohet menjëherë pas përfundimit të korrigjimit të vlerësimit me shkrim dhe shpalljes së listave të kandidatëve që janë seleksionuar për të vazhduar intervistën e strukturuar me gojë, por jo më vonë se 48 orë.

Kanë të drejtë të marrin pjesë në intervistën e struktura me gojë kandidatët të cilët kanë grumbulluar në vlerësimin me shkrim të paktën 40 pikë. Data dhe ora e intervistës së strukturuar me gojë lajmërohet në faqet e internetit të DAPit. DAPi dhe KPPja marrin të gjitha masat që të mos parashikohen testime në ditët e pushimit javor ose festave. KPPja bën renditjen e kandidatëve sipas pikëve të marra në secilën fazë të vlerësimit dhe ato në total në përfundim të vlerësimit. Testi për vlerësimin me shkrim përfshin lloje të ndryshme pyetjesh. Të para janë pyetje me alternativa (për vlerësimin e njohurive, të aftësive, të zotësive, të kompetencave. Më pas paraqitet një rast studimor ose shembull pune. Më pas kalohet në pyetje të hapura dhe në fund janë Ese e cila është pikë fakultative. Çdo test vlerësohet nga komisioni prej tre anëtarësh. Në përfundim të vlerësimit shuma e marrë nga kandidati, pjesëtohet me 3, për të nxjerrë dhe pikët e vlerësimit, ku niveli minimal i përzgjedhjes është 70 pikë. DAP do t’i ofrojë vendet e punës vakant kandidatëve që kanë marrë më shumë pikë nga përzgjedhja në bazë të CV si dhe testimit me shkrim e me gojë. “Pasi kandidati zgjedh ose refuzon të zgjedhë një pozicion, lista i propozohet kandidatit të radhës. Kjo procedurë përsëritet deri sa të plotësohen të gjitha pozicionet”, thuhet në Udhëzimin e Ministrisë së Brendshme dhe Departamentit të Administratës Publike mbi punësimin në shtet.

Udhëzimi ka vendosur dhe format e testimit. E para është përzgjedhja nga CV. Më pas është testimi me shkrim dhe në përfundim është testimi me gojë i konkurrentëve. Kandidati ka të drejtë të tërhiqet nga testimi me gojë. Formularët model mund të tërhiqen në faqen online të DAP, e cila është e vetmja formë e aplikimit.

Pin It