Bashkëpunim rajonal për të rinjtë, zyra në Tiranë

Blendi-Klosi

Zyra Rajonale për Bashkëpunim Rinor e Ballkanit Perëndimor do ngrihet në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë pjesëmarrjes së tij në takimin që u zhvillua sot, në kuadër të Ditës Botërore të Zgjedhjeve me të rinj që votojnë për herë të parë. Duke përfituar pikërisht nga prania e të rinjve në këtë takim, ministri Klosi ka bërë të ditur se vendimi është marrë gjatë takimit të përfaqësuesve të kabineteve të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, të cilët në mënyrë unanime ranë dakord që zyra kryesore (Sekretariati) të vendoset në Tiranë. “Procesi i Berlinit është një hap i rëndësishëm në fushën e bashkëpunimit rajonal dhe sidomos një hap kyç në fushën e rinisë. Gjatë samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, gusht 2014, Kryeministri i Shqipërisë dhe Serbisë, iniciuan idenë e një Zyre Rajonale për Rininë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sot, kemi ne duar një vendim historik për ngritjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor me seli qendrore në Tiranë”, – tha ministri Blendi Klosi.

Duke iu referuar pikërisht këtij vendimi, ai theksoi se përveçse një arritje, kjo është një përgjegjësi e madhe, sigurisht e përbashkët me rajonin, për të organizuar shkëmbimet rinore me qëllim forcimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve pjesëmarrëse: Shqipërisë, Serbisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës. Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor ka për qëllim pajtimin, forcimin e mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit rajonal, të përballjes me të shkuarën dhe rritjes së stabilitetit në rajon. Kjo iniciativë është shtyrë përpara me këmbëngulje nga Shqipëria dhe Serbia, duke e konkretizuar në vitin në vazhdim. Gjatë Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë, gusht 2015, kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor konkretizuan këtë ide duke nënshkruar një deklaratë të përbashkët për ngritjen e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor.

Kjo deklaratë shënon hapjen e një kapitulli të ri në bashkëpunimin rinor rajonal. Gjithashtu, ministri Klosi bëri të ditur se Grupi i Punës është duke punuar për finalizimin e kontekstit, vizionit, misionit, strukturës dhe financimin e ZRBR-së deri më datë 1 mars 2016. Gjatë takimit të tretë të Grupit të Punës u zhvillua paralelisht një takim i përfaqësuesve të kabineteve të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar mbi lokacionin e Sekretariatit të ZRBR-së, ku në mënyrë unanime u vendos që zyra kryesore të vendoset në Tiranë.

 

Pin It