4 ministri bashkëpunojnë në funksion të sigurisë online për fëmijët

femijet-shqiptare-te-rrezikuar-ne-internet-infoalbania

Në kuadër të ditës ndërkombëtare të “internetit të sigurt”, Ministria e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, me mbështetjen e UNICEF kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon rritjen e efikasitetit të ndërveprimit institucional në funksion të sigurisë online për fëmijët.

Marrëveshja ka për qëllim rritjen dhe promovimin e sigurisë online të fëmijëve ndaj përmbajtjeve të papërshtatshme dhe mbrojtjen e tyre nga dhuna, shfrytëzimi, abuzimi, rreziqet dhe kërcënimet që vijnë nga përdorimi i internetit në Shqipëri.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla tha se fëmijët janë të ekspozuar ndaj abuzimeve online ndaj e rëndësishme është krijimi i planeve konkrete se si mund t’i përgjigjemi këtij fenomeni në mënyrë efikase.

Të katër institucionet morën angazhime konkrete për krijimin e mekanizmit kombëtar për sigurinë online të Fëmijëve, forcimin e kuadrit ligjor, shkëmbimin e të dhënave të rasteve të fëmijëve dhe adoleshentëve, viktima të dhunës dhe shfrytëzimit në internet, vendosjen e një dialogu konstant me aktorët e shoqërisë civile dhe industrisë së internetit e komunikimit etj.

Marrëveshja u firmos nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, Ministrja e Shtetit për Inovacion dhe Administratën Publike, Milena Harito dhe Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi.

Në funksion të këtij bashkëpunimi u prezantua edhe platforma isigurt.al, e cila ka si mision kryesor bashkërendimin e përpjekjeve për të identifikuar dhe për të mbrojtur fëmijët viktima të abuzimit dhe dhunës seksuale në internet, për të identifikuar dhe bllokuar materialet e paligjshme dhe ato me përmbajtje të papërshtatshme për fëmijët në internet.

Kjo platformë vjen edhe në formën e një aplikacioni telefonik ndihmë të prindërve, mësuesve, profesionistëve që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe të gjithë komunitetit për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi online.

 

Pin It