5 mënyra të thjeshta për të dezinfektuar frutat dhe perime

Frutat dhe perimet janë një element shumë i rëndësishëm në shëndetin tonë trupor. Për këtë arsye përpiqemi që gjithmonë t’i zgjedhim ato bio. Të qenit ushqim bio nuk mjafton për frutat dhe perimet, duhet që ato të jenë edhe në kushte shumë të mira higjenike. Për të pasur fruta dhe perime sa më të pastra dhe të sigurta për t’u konsumuar ndiqni këshillat e mëposhtme:

1. Uthulla e bardhë e rrushit: Uthulla e bardhë ka veti anti-bakteriale dhe anti-septike të dobishme për të eleminuar toksinat nga frutat dhe perimet.
Duke qenë një produkt 100% organik, jo vetëm dezinfekton, por ruan shijen e këtyre produkteve dhe vlerat e tyre ushqyese. Në një enë me ujë të vakët, shtoni uthull të bardhë sipas dëshirës dhe lani frutat e perimet. Në këtë mënyrë, do të jeni 100% të sigurtë përpara konsumit të tyre.
2. Lëng limoni: Lëngu i limonit ka në përmbajtjen e tij acide natyrore me veti antibakteriale, si dhe  vajra esencialë që dezinfektojnë ushqimet tuaja nga papastërtitë. Në një enë shtoni 2-3 lugë gjelle lëng limoni dhe zhysni të gjitha perimet e frutat. Pas dhjetë minutash hiqni nga aty dhe shpëlajini me ujë të pastër.
3. Sodë buke: Një zgjidhje tjetër shumë e preferuar nga amvisat është edhe soda e bukës. Fuqia e saj pastruese është vërtetuar me qindra herë, për këtë arsye veproni si më poshtë: Shtoni dy lugë gjelle sodë buke në një tas të madh me ujë të ngrohtë dhe zhytini perimet aty. Lërini në enën me ujë derisa ai të ftohet dhe më pas lajini fruta-perimet me ujë të ftohtë.
4. Uthull molle: Edhe pse uthulla e rrushit të bardhë është më e përdorura për dezinfektimin e ushqimit, jo më pak e përdorshme është edhe uthulla e mollës. Ajo ka në përmbajtjen e saj disa përbërës organikë që eleminojnë bakteret, mbetjet e kimikateve dhe toksinat në lëkurën e frutave dhe perimeve. Shtoni një gjysmë gotë me uthull molle në një tas me ujë dhe vendosni produktet tuaja për 10 minuta.
5. Kripë deti: Kripa e detit ka veti antiseptike të dobishme për të dezinfektuar frutat dhe perimet.  Ndryshe nga këshillat e mëparshme, kjo metodë ndryshon në mënyrë të konsiderueshme shijen e ushqimit, duke i dhënë shije të kripur. Shtoni një lugë gjelle kripë në një enë me ujë të ngrohtë dhe fshini sipërfaqen e frutave dhe perimeve me këtë lëng.

Pin It