80 mijë turistë vizituan Parku Kombëtar të Llogarasë për vitin 2017

Parku Kombëtar i Llogarasë ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në një distancë prej 40 km. Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2,018 metra mbi nivelin e detit.

Janë disa fshatra turistik që shtrihen në këtë territory si Palasa, Dhërmi,Vuno etj.,që bëhen mjaftë të populluar gjatë stinës së verës.

Por, Llogaraja vizitohet në të katër stinët e vitit sepse është një rrugëkalim që lidh Vlorën me jugun e saj deri në Sarandë.

Vetëm për vitin 2017, këtë park e kanë vizituar mbi 80 mijë  turistë vendas e të huaj, sipas statistikave të AdZM-së Vlorë, që menaxhon këtë park.

Bregdeti  që shtrihet në këtë gjatësi është nga më të bukurit dhe piktoreskët në vendin ton.

Veç të tjerash, Parku i Llogarasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh.

Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare.

Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve dimërore si ngjitje në lartësi këto edhe në dimër, ecje në natyrë, njohje me historinë dhe me monumentet e natyrës dhe të kulturës, por së fundmi edhe për sporte ajrore ku në shpatin e malit që shikon nga deti është përshtatur një pistë fluturimi për amatorët dhe profesionistët e fluturimeve me mjete të ndryshme sportive.

Pas zbritjes së Qafës së Llogarasë, nga një rrugë me parametra bashkëkohorë, do të ndeshni plazhet e para të Rivierës Shqiptare, të cilat shquhen për cilësinë shumë të lartë të ujërave detare.

Ato fillojnë me Dhraleon e Palasës dhe më pas plazhet e Dhërmiut, Llamanit, Plazhi i Gjipesë që  shquhet për bukuri të rrallë pasi shtrihet rrëzë një kanioni afro 70 metra të lartë.

Pranë Dhërmiut ndodhet edhe shpella detare e “Piratëve”.

Ndërsa në fshat mund të vizitohet  kishat e Shën Mitrit dhe Shën Stefanit.

E gjithë vija bregdetare nga Llogaraja deri në Lukovë,ka plazhe mjaftë interesantë dhe një shërbim cilësor hotelerie dhe kulinarie. Një kujdes të veçantë i është kushtuar këtij parku edhe për biodiversitetin e tij.

Vitin që shkoi, në kuadër të projektit NaturAl, mbi identifikimin e zonave potenciale për të qenë pjesë e rrjetit të zonave të mbrojtura në Europë, një grup zoologësh, i përbërë nga Michela Pacifici, Enerit Sacdanaku dhe specialistë shqiptarë,  bënë  investigimin e gjallesave në këtë park.

U realizua montimi i kamerave kurth, të ngritura nga specialistët e natyrës, me qëllim inventarizimin dhe monitorimin e faunës.

Në Parkun Kombëtar të Llogarasë ka dhe  një godinë ku janë ekspozuar  historia dhe arritjet e këtij parku.

Ky park është kthyer në një atraksion turistik tepër të vizitueshëm nga turistet vendas dhe të huaj.

Jo vetëm nga natyra e bukur ku mund të shijosh edhe qëndrimin në mal, por edhe atë në det, një vend që i përfaqëson të dyja klimat, malore dhe detare, por tani së fundmi, në park mund të vëzhgosh dhe specie të ndryshme kafshësh e shpendësh  të egra.

Turizmi i vëzhgimit po kthehet në prioritar edhe në parkun e Llogarasë.

Gastronomia krahinore është një tjetër kënaqësi për ata që drekojnë apo rrinë më gjatë në ambientet turistike të Llogarasë. /a.g/

Pin It