81 vite Ismail Kadare, mjeshtri i fjalës, ambasadori i kulturës tonë në botë

 

Ismail-Kadare

Më 28 janar 1936  në Gjirokastër lindi Ismail Kadare. Fillimisht tërhoqi vëmendjen si poet, por ishin librat në prozë që e bënë të famshëm. Ai vjen nga një familje myslimane me tradita. Ai ishte një nga tre fëmijët e Halit Kadare, i cili punonte si postier i Gjykatës së Gjirokastrës, dhe Hatixhe Dobit, e cila vinte nga familja e njohur Dobi e Gjirokastrës. Shkollën fillore dhe shtatëvjeçare e mbaroi në vendlindje, ndërsa në pas zhvendoset drejt Tiranës për të filluar studimet universitare. Më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës ku diplomohet për Mësuesi. Më pas studioi në Moskë, për dy vite, në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” nga viti 1958 në vitin 1960. Detyrohet t’i braktisë studimet për shkak të ashpërsimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe BS . Kthehet në Shqipëri dhe më pas punon ne gazetën “Drita”, e me pas drejton revistën “Les lettres albanaises”.

 Ismail Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenjtë të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore bashkëkohore. Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell”(1968) dhe “Koha” (1976). Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003.

Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin “Kështjella” (1975). Në romanin “Kronikë në gur” (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela “Emblema e dikurshme” (1977), “Ura me tri harqe” (1978) dhe ‘Gjakftohtësia” (1980).

E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani “Pallati i ëndrrave” (1981). Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare.Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; në 2005 fitoi “Man Booker International Prize” dhe në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Prince of Asturias, për Artet – që është një nga çmimet letrare më prestigoze në botë.Në vitin 2010 Ismail Kadare nderohet në Itali me cmimin Lerici Pea.  “Dhënia e cmimit Lerici Pea 2010 autorit Kadare – shkruhet në motivimin e cmimit – nënkupton rolin e poezisë dhe letërsisë si instrument lirie, duke u bërë mbështetje për të gjithë njerëzit e botës, të cilëve iu mohoen liritë themelore”. Qëllimi i cmimit është promovimi i poezisë, në vecanti i poetëve të rinj, eksperimentimi i gjuhëve të reja poetike dhe njohja e poetëve të mëdhenj.Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me UrdhrinNderi i Kombit dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ndër veprat më të njohura të Kadaresë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar janë: Gjenerali i ushtrisë së vdekurKështjellaKronikë në gurDimri i madhUra me tri harqePrilli i thyerDosja HPiramidaPallati i ëndrrave. Prej vitesh kandidat për çmimin Nobel në letërsi, Kadare, fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare, banon në Paris, me Tiranën si destinacion kryesor.

Pin It