85 vjetori i lindjes i Dritëro Agollit- “Ekspozita agolliane dhe ligjërata”, në 10 tetor në Bibliotekën Kombëtare

20141014095450616646

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në 85-vjetorin e lindjes së personalitetit të letrave shqipe, Dritëro Agolli do të zhvillojë në 10 tetor aktivitetin “Ekspozita agolliane dhe ligjërata”.

Ky aktivitet do të sjellë për lexuesit e shumtë të Dritëro Agollit një retrospektivë të shkrimtarisë së tij, qysh me zanafillat e hershme poetike më 1948, për t’u zhvilluar e zgjeruar në zhanre e gjini të ndryshme për mbi 65 vjet krijimtari.

Nga poezitë e para te vëllimet poetike, nga skicat te romanet epike, nga fabulat te satira, nga reportazhi te publicistika, vepra e Dritëro Agollit shpalos njëherësh frymëzimin dhe angazhimin e autorit në sfidat e shoqërisë shqiptare, duke u shtrirë po aq e sukseshme në dy epoka.

Ekspozita dëshmon larminë tipike të krijimtarisë së Dritëro Agollit dhe përfshin edhe një vështrim brenda zhanreve si psh: nga poezitë e para të botuara te “Letrari i ri” dhe “Rinia” më 1948, vijohet me vëllimet e para “Në rrugë dolla” (1958) dhe “Hapat e mia në asfalt” (1961) për të mbërritur te “Pelegrini i vonuar” (1993), “Lypësi i kohës” (1995), “Vjen njeriu i çuditshëm” (1996), “Fletorka e mesnatës” (1998), “ Lutjet e kambanës” (1998), etj; nga tregimet e hershme si ato të botuara te “Zëri i Rinisë” më 1955 te përmbledhjet me tregime si “Zhurma e erëreve të dikurshme” (1984) dhe “Njerëz të krisur” (1995) deri te romanet e mirënjohura “Komisari Memo” (1970), “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” (1973), “Njeriu me top” (1975), “Arka e djallit” (1997). Ekspozita sjell në vëmendje edhe shqipërimet e tij të njohura të Eduard Bagricki më 1961, “Duart e lira” të Pol Elyar (1984), “Kënga e gëzimeve dhe brengave” të Robert Bërns në vitin 1987, por edhe cikle poetike të Janis Ricos, Aleksandër Bllok, Ana Ahmatova, etj.

Aktiviteti vijon me ligjëratën “Migjeni i Dritëro Agollit” të prof. Dr. Shaban Sinani, i cili ndalet në punimin e diplomës së Agollit me titullin “Skicat dhe tregimet e poetit revolucionar shqiptar Migjeni”, mbrojtur para jurisë në Universitetin e Petersburgut në vitin 1957, duke pasur si oponente albanologen e mirënjohur Agnia Desnickaja.

Zgjedhja e Migjenit, përveçse parapëlqim i Dritëro Agollit, lidhej me përkthimin në rusisht të “Vargjeve të lira” dhe “Novelave të Qytetit të Veriut” si dhe interesin e vijueshëm për Migjenin dhe dorëshkrimet e tij nga shkencat sovjetike. Por një arsye e tretë mund të kishte lidhje me fushën e diplomimit (gazetari) dhe me nënllojin e zgjedhur (skicat, publicistika).

Pin It