Suret Mekase dhe Medinase të Kur’anit

Faza mekase e Shpalljes Hyjnore shtrihet mbi 13 vjet që nga fillimi i Shpalljes deri në çastin e hixhretit (mërgimit të Profetit Muhamed a.s. nga Meka në Medinë), viti 622. Kjo përfundoi me të mësuarin dhe konsolidimin shpirtëror. Ajo kishte për qëllim që të mbështeste e të mbronte misionin e Profetit (a.s.). Gjatë kësaj faze Profeti ka luajtur kryesisht rolin e njoftuesit dhe të lajmëruesit. Faza medinase zgjat deri me ndërrimin jetë të Profetit (a.s.) në vitin 10 Hixhri/632. Temat e fazës mekase u mësoheshin, por formimi dhe zhvillimi i bashkësisë dhe shoqërisë myslimane, vinin duke marrë një rëndësi gjithnjë e më të madhe.

Në Medinë jetonin 4 lloje përbërje popullsie: muhâxhir-ët (mërgimtarët mekas që kishin emigruar në medine), ensâr-ët (medinasit që ndihmuan mërgimtarët mekas), munâfik-ët (hipokritët e Medinës), të cilët pretendonin se i mbështesnin myslimanët dhe ehl-ul Kitâb (njerëzit, ithtarët e Librit), të krishterë dhe hebrenj që ishin të lidhur me Shkrimet e tyre të Shenjta. Megjithatë, edhe në fazën medinase, Kurani ka vazhduar t’i drejtohej të tërë njerëzimit, duke përfshirë si myslimanët, ashtu dhe ata që nuk besonin apo mohuesit.

Suret e Kuranit janë klasifikuar në funksion të origjinës së tyre, d.m.th. në sure mekase dhe në medinase. Një sure cilësohet mekase, kur fillimi i saj ka zbritur gjatë fazës mekase, edhe pse kjo mund të përmbajë vargje të zbritura në Medinë. Nga ana tjetër, një sure tjetër cilësohet medinase, nëse fillimi i saj ka zbritur gjatë kësaj faze, edhe pse ajo mund të përmbajë vargje të zbritura në Mekë. Suret mekase përbëjnë afërsisht 11 xhuze (pjesë), ndërsa suret medinase përbëjnë 19 xhuze të tekstit të shenjtë. Këto janë ato më të gjatat dhe përbëjnë pjesën më të madhe të Kuranit.

Referenca: Hasan I. Nahi, “Kurani i Madhërishëm“, shtëpia botuese: MILENIUM I RI, Tiranë 2006, fq. 35-36.

Pin It