Aftësia e Kufizuar, ndryshojnë skema e pagesës dhe politikat integruese

Blendi-Klosi-3-640x427

Skema e vlerësimit dhe trajtimit të personave me aftësi të kufizuara do të ndryshojë në favor të këtyre të fundit. Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë propozon reformimin e këtij sistemi në mënyrë që nga pagesa financiare të shërbejë për nevojat e personave me aftësi të kufizuara dhe jo si një rrogë për familjen e tyre.

Ministri Blendi Klosi tha se të ardhurat duhet të shkojnë për shërbime për rehabilitimin dhe integrimin e këtij komuniteti në shoqëri. Ai theksoi se është nevoja të bëhen ndryshime në sistemin e të dhënave për të shmangur abuzimet në emër të aftësisë së kufizuar.

“Do doja shumë të tërhiqja vëmendjen e këtij këshilli dhe do doja shumë të mendonim në mënyrë të ftohtë sesi shkon pagesa te këta persona me aftësi të kufizuara. Si KESH apo në formë rehabilitimi. Për këtë lind nevoja për reformë të thellë. Është e pamundur që me ato para, të jetojë familja. Nuk duhet të jetë kështu dhe kërkesa që vjen nga ky komunitet është që këto para të shkojnë për shërbime. Ka ardhur koha për këtë dhe kërkoj mbështetjen e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe institucioneve të përkujdesit, t’i kthejmë këto pagesa në shërbime”, – deklaroi Klosi.

Diskutimet u zhvilluan gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Aftësinë e Kufizuar, gjatë së cilës ministri Klosi propozoi trajtimin e këtyre personave që në moshë të vogël, si dhe ndërthurjen e trajtimit mjekësor me atë psikosocial sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ai gjithashtu foli për një reformë institucionale për dixhitalizimin e regjistrit të të gjithë personave me aftësi të kufizuara, i cili do të ndihmojë për të ofruar shërbimin e duhur sipas nevojës së personit përfitues nga skema. Në këtë kontekst Kosi tha se institucionet dhe qendrat e përkujdesit duhet të shtrihen në të gjithë vendin, duke e vlerësuar këtë gjë si të dobishme në shumë drejtime.

“Punësim që ndihmon shumë palë; vetë personat që të kenë mundësinë të futen në tregun e punës, ndihmon skemën për të lehtësuar barrën e pagesave dhe ndihmon edhe familjen e personave me aftësi të kufizuara për të pasur një jetë më të lehtë, por dua të them që kjo arrihet edhe me bashkëpunimin e punonjësve socialë, psikologëve, pra na duhet të kemi një shoqëri që reagon si një e tërë në rastet e personave me aftësi të kufizuara”, u shpreh Klosi.

Pin It