Arsimi profesional tashmë edhe në zonat rurale

arsimi

Arsimi dhe formimi profesional do të përfshijnë për herë të parë edhe zonat rurale. Kurset dhe shkollat profesionale në këto zona do t’i shërbejnë nxitjes së industrisë agropërpunuese.

Sipas ligjit të ri arsimi dhe formimi publik profesional do të financohet nga buxheti i shtetit, nga të ardhurat e gjeneruara nga vetë ofruesit publikë të AFP-së, nga kontributet vullnetare të punëdhënësve dhe punëmarrësve, nga kontributet e donatorëve dhe nga sponsorizimet.

Të ardhurat e gjeneruara nga ofruesit e arsimit dhe formimit profesional publik administrohen në masën 100% nga vetë institucioni i arsimit dhe formimit profesional.

Sistemi i ri arsimor ndërthur teorinë dhe praktikën për shkollat e formimit professional, me qëllim përgatitjen e nxënësve sipas nevojave të tregut.

Ndryshimi i sistemit
Sistemi ka pësuar ndryshime thelbësore. Ai përbëhet nga arsimi profesional i mesëm me disa nivele shkollimi, arsimi profesional pas të mesëm (post sekondar), formimi profesional si dhe arsimimi i të rriturve. Struktura e re e arsimit profesional bazohet në strukturën e kualifikimeve profesionale, të parashikuara nga Korniza Shqiptare e Kualifikimeve (KSHK), e cila ka si qëllim zhvillimin, njohjen dhe dhënien e kualifikimeve në Shqipëri, bazuar në standardet e njohurive, të shprehive dhe kompetencave që duhet të arrijnë nxënësit, studentët dhe kursantët. Për administrimin, funksionimin dhe mbarëvajtjen përmbajtjesore të sistemit të arsimit profesionale do të ketë dy institucione kryesore: Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive veç detyrave të tjera të përcaktuara nga ligje të tjera, janë përgjegjëse për të gjitha aspektet e menaxhimit që lidhen me ofruesit publikë të AFP-së si dhe Agjencia Kombëtare e AFP-së dhe Kualifikimeve, e cila është përgjegjëse për krijimin e sistemit kombëtar të kualifikimeve profesionale dhe zhvillimin e vazhduar profesional të mësuesve.

Pin It