Autoritetet kolumbiane: Avioni nuk kishte karburant

reuters

Autoritetet kolumbiane thonë se po shtohen treguesit që vërtetojnë se aeroplani me skuadrën braziliane në bord, u përplas për shkak të mbarimit të karburantit teksa përpiqej të ulej në tokë.

Shefi i aviacionit civil Alfredo Bocanegra tha se një inspektim fillestar në vendngjarje  tregoi se avioni “nuk kishte karburant në momentin e ngjarjes”.

Gjithashtu u zbulua një kasetë në të cilën piloti mund të dëgjohet duke kërkuar leje për t’u ulur në tokë për shkak të një problemi elektrik dhe mungesës së karburantit.

Nga 77 njerëzit që ishin në bord mbijetuan 6 persona.

“Pas mbërritjes në vendin e aksidentit, dhe inspektimit të të gjitha mbetjeve dhe pjesëve të avionit, mund të pohohet në mënyrë të qartë, se avioni nuk kishte karburant në momentin e rrëzimit,” z Bocanegra tha në një konferencë shtypi.

“Prandaj, ne kemi filluar një proces hetimi për të zbuluar pse ky avion nuk kishte karburant.”

Duke folur në të njëjtën konferencë për shtyp, zyrtari i aviacionit civil Freddy Bonilla tha se rregullorja përcakton se avioni duhet të ketë 30 minuta karburant shtesë në mënyrë që të jetë në gjendje për të arritur në një aeroport alternativ në rast emergjence.

“Në këtë rast avioni nuk ka pasur karburant për të shkuar në një aeroport alternativ,” tha ai.

Aeroplani u përplas në një shpat mali pranë qytetit kolumbian të Medellinit mbrëmjen e së hënës.

Nuk pati shpërthim, gjë që ekspertët thonë mund të tregojë mungesën e karburantit.

Zyrtarët thonë se “kutitë e zeza” të aeroplanit, të cilat regjistrojnë të dhënat e fluturimit, do të dërgohen në Britani të Madhe për t’u hapur nga ana e prodhuesit, kompanisë britanike, BAE.

Një hetim i plotë i aksidentit pritet të zgjasë disa muaj.

Pin It