Arrihet marrëveshja, regjim pa legalizim dokumentesh me Spanjën

vula

Spanja bëhet vendi i katërt që fillon zbatimin e regjimit pa legalizim të dokumenteve me Shqipërinë, bazuar në Konventën e Hagës. Më herët edhe Italia, Belgjika dhe Gjermania kanë nisur zbatimin e një regjimi të tillë, të njohur si regjimi i Apostille-s.

Kjo do të thotë që tani të gjitha dokumentet zyrtare të prodhuar nga autoritetet e të dyja vendeve do të apostilohen pa pasur nevojë të legalizohen nga përfaqësitë respektive diplomatike.

Ministri Ditmir Bushati tha se për çdo dokument të lëshuar nga institucionet shqiptare që do të paraqitet në Spanjë, do të kursehet tarifa e legalizimit nga autoritetet spanjolle, me vlerë 20 euro/dokument, si dhe do të përgjysmohet koha e pritjes.

“Në kuadër të reformës së shërbimeve konsullore po vijojmë përpjekjet për heqjen e legalizimit të dokumenteve edhe me vende të tjera të BE-së ku jetojnë shtetasit shqiptarë. Më posaçërisht zbatimin reciprok të regjimit pa legalizim të dokumentave, në pajtim me Konventën e Hagës e mezi presim edhe nga Greqia, si një sinjal të qartë të përkushtimit ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe standardeve të gjithëpranuara në këtë fushë. Një vendim i tillë, në të njëjtën linjë me vendet e tjera anëtare të BE-së, do të çlironte energji pozitive në marrëdhëniet dypalëshe, duke lehtësuar kontaktet mes njerëzve dhe mbi të gjitha duke reduktuar ndjeshëm kostot dhe kohën për legalizimin e dokumenteve”, deklaron Bushati.

Jam shpresëplot, shprehet ai, se do të ecim në këtë drejtim pasi çdo ditë punojmë për të mundësuar shërbime konsullore të sigurta, transparente dhe me kosto të ulët, dhe jo më radhë të gjata dhe shërbime sipas xhepit.

 

Pin It