Qeveria do të ndryshojë rregullat për taksat dhe tarifat vendore përmes një projektligji, i cili i jep Këshillave Bashkiakë më shumë autonomi në caktimin dhe përdorimin e fondeve.
Por në rast se këshilltarët nuk bien dakord deri më 31 dhjetor për buxhetin e vitit të ardhshëm, qeveria ka të drejtë të shpërndajë Këshillin!
Qëllimi i këtij projektligji është të sigurojë financimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në përputhje me parimet e autonomisë vendore të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë, por edhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore dhe ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”.
Taksat
Llojet e taksave që mund të vendosin bashkitë janë si më poshtë: Taksa mbi pasurinë e paluajtshme në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi truallin si dhe mbi transaksionet e kryera me to; taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja; taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier; taksa e tabelës; taksa vendore të përkohshme, të cilat vendosen sipas mënyrës së parashikuar në ligj; taksa vendore mbi veprimtarinë ekonomike të biznesit të vogel; taksa vendore mbi të ardhurat vetjake, taksa mbi të ardhurat e krijuara nga dhuratat, trashëgimitë, testamentet ose lotaritë vendore dhe taksa të tjera të përcaktuara me ligj.
Baza e taksave dhe tarifave si dhe niveli i tyre, çdo përjashtim apo ulje, afati i pagesave, si dhe gjobat dhe kamatëvonesat e aplikueshme në përputhje me legjislacionin në fuqi botohen dhe bëhen të njohura publikisht. Këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore ka të drejtë të vendosë taksë të përkohshme për ofrimin e shërbimeve dhe investimeve publike specifike, për një periudhë të caktuar kohore, por jo më shumë se tre vjet.
Tarifat
Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të kenë të drejtë të krijojnë të ardhura nga tarifat vendore si më poshtë: Tarifa për zënien dhe përdorimin e hapësirës publike dhe fasadave; tarifa për mbledhjen dhe heqjen e mbetjeve; tarifa për furnizimin me ujë dhe kanalizimet; tarifa për shërbimet administrative dhe dhënien e licencave, lejeve dhe autorizimeve; tarifa të përkohshme në përputhje me rrethana të përcaktuara në ligj; tarifa të tjera për shërbimet vendore, të përcaktuara nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.