Projektligji, hiqen tarifat e drejtësisë për personat në vështirësi ekonomike

drejtesia

Të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të huaj që jetojnë brenda vendit do të kenë akses në sistemin e drejtësisë, pavarësisht mundësive ekonomike. Paketa e re ligjore për zbatimin e Reformës në Drejtësi parashikon heqje të tarifave dhe shpenzimeve gjyqësore për çështjet civile dhe administrative për kategoritë me pamundësi ekonomike.

Projektligji parashikon kriteret, kushtet dhe kategoritë që mund t’i drejtohen drejtësisë së re pa paguar asnjë lekë dhe pritet të miratohet brenda këtij sesioni parlamentar. Sipas statistikave, do të jenë rreth 150 mijë persona që do të përfitojnë vetëm nga kriteri i trajtimit me ndihmë ekonomike dhe nga niveli i të ardhurave mujore në raport me pagën minimale.

Përjashtohen nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore personat që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike ose të skemave të tjera shoqërore që përfitojnë ndihmë financiare, për shkak të pamundësisë fizike ose mendore. Po ashtu, do të kenë akses falas në sistemin e drejtësisë viktimat e një vepre penale, të cilët kërkojnë të kompensohen nëpërmjet një padie civile në procesin penal ose në një proces civil. Do të përfitojnë edhe të miturit që janë viktima të një vepre penale, viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore, viktimat e dhunës në familje si dhe personat që u është cënuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim sipas legjislacionit për mbrojtjen nga diskriminimi. Po ashtu, nuk do të paguajnë asnjë tarifë personat e braktisur nga familja dhe individët që rrinë mbyllur për shkak të sëmundjeve mendore.

Për të përfituar ndihmë juridike falas, personat duhet të plotësojnë disa kritere, të parashikuara në ligjin e ri. Pra, përveç kategorive të lartpërmendura, mund të përfitojë çdo qytetar tjetër që përmbush disa kritere. Konkretisht, personat duket të kenë një çështje civile ose administrative, të ardhurat mujore të personit të jenë nën pagën minimale, ose personi nuk është në marrëdhënie pune ose është në pension. Po ashtu, të ardhurat totale të familjes nuk kalojnë më shumë se 500 000 lekë në vit. Personi, gjithashtu, nuk duhet të disponojë pasuri të tjera përveç banesës në të cilën jeton. Ligji i ri parashikon gjithashtu se në rastet e përjashtimit nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, gjykata merr në konsideratë edhe pamundësinë financiare që krijohet për shkak të vlerës së lartë të kërkesëpadisë. Ndërkaq, për secilin kriter të parashikuar në këtë ligj, kërkuesi dorëzon dokumentet përkatëse për vërtetimin e tyre.

Kategoritë që përfitojnë

Personat që marrin ndihmë ekonomike.

Personat që marrin ndihmë financiare për shkak të pamundësisë fizike.

Personat që marrin ndihmë ekonomike për shkak të pamundësisë mendore.

Viktimat e një vepre penale.

Të miturit që janë viktima të një vepre penale.

Viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore.

Viktimat e dhunës në familje.

Personat e braktisur nga familja.

Personat e diskriminuar.

Personat që rrinë mbyllur për shkak të sëmundjeve mendore.

Kushtet dhe kriteret

Çështja të jetë civile ose administrative.

Të ardhurat mujore të jenë nën pagën minimale.

Personi nuk është në marrëdhënie pune ose është në pension.

Të ardhurat totale të familjes të mos kalojnë më shumë se 500 000 lekë në vit.

Personi nuk duhet të disponojë pasuri të tjera përveç banesës.

Kolonë

Pin It