Kolegji Universitar Bedër zhvillon aktivitetin përkujtimor “In memoriam, 50 vjet nga ndalimi i fesë”.

beder

Departamenti i Shkencave Islame në Kolegjin Universitar Bedër zhvilloi ditën e hënë, 6 shkurt, aktivitetin përkujtimor “In memoriam, 50 vjet nga ndalimi i fesë”. Aktiviteti synonte të përkujtonte sakrificat e klerikëve myslimanë për të trashëguar vlerat e islamit ndër breza, në një kohë kur Shqipëria më 6 shkurt të vitit 1967 ishte shpallur i vetmi vend ateist në botë.

Paneli i referuesve përbëhej nga Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër Dr. Genti Kruja, Rektori i Institucionit Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Z. Gazmend Aga si dhe nga shkrimtari i mirënjohur Dr. Agron Tufa.

Në fjalën hapëse, rektori i institucionit, pasi falenderoi pjesëmarrësit për prezencën e tyre në aktivitet, u shpreh se përkujtimi i ngjarjeve të tilla është një element i rëndësishëm në edukimin historik të brezave të rinj.

“Shpeshherë njeriu i harron vlerat e lirive themelore që gëzon në shoqëri dhe reflektimi mbi to është detyrë e përbashkët shoqërore”- tha ai.

Ndërsa nënkryetari i Komunitetit Mysliman Z. Aga, ndau me të pranishmit fakte të ndryshme nga propaganda, lufta, sakrificat dhe persekutimi komunist antifetar në vendin tonë.

“Aktiviteti i sotëm është një mesazh i qartë se ata që i dolën kundër sistemit komunist ndaj luftës antifetare do të kujtohen vazhdimisht në forma të ndryshme nga brezat që vijnë e ikin, ndërsa ata që bëjnë kompromis me të padrejtën harrohen në rreshtat e hitorisë” – përfundoi ai.

Më tej, Dr. Agron Tufa, bëri një rezyme të shkurtër për të pranishmit mbi rolin që kanë luajtur klerikë të ndryshëm në luftën kundër shfarosjes së fesë, edukimin ateist të brezave të rinj gjatë komunizmit, injektimin e propagandës antifetare në të gjithë shtresat e shoqërisë së atëhershme, prishjen e objekteve të kultit etj.

Në fund të fjalës së tij ai tha se: “Organizime të tilla duhet të jenë më të shpeshta, jo vetëm në institucionet e edukimit por edhe më gjerë, pasi krimet e komunizmit kundrejt besimeve fetare përbën shkeljen më të madhe të lirive themelore të njeriut, pasi pa besim, njeriun mund ta klasifikosh lehtësisht si objekt”.

Në fjalën e tij, Përgjegjësi i Departamentit të Shkencave Islame në Bedër, Dr. Kruja, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në aktivitet, bëri një prezantim të shkurtër të përmbajtjes filmike të dokumentarit me ngjarjet, propagandën e pastër antifetare, rihapjen e xhamive dhe persekutimin që ju bë klerikëve të shumtë myslimanë.

Më tej, të pranishmit ndoqën për rreth 40 minuta dokumentarin që tregon qartë metodat e shumta që vuri në jetë sistemi komunist për të çrrënjosur përgjithmonë besimin fetar nga zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, por edhe rihapjen e xhamive të para pas rënies së sistemit në vitin 1990.

Aktiviteti mblodhi sëbashku myfti, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe institucioneve të ndryshme arsimore, familjar të klerikëve të persekutuar nga sistemi komunist si dhe studentë të shumtë.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte gjithashtu edhe ekspozita “Në gjurmët e dijetarëve dhe prijësve të shquar myslimanë shqiptarë”, ku janë ekspozuar fotografi të rralla të shekullit XIX-XX të personaliteteve të shquara myslimane shqiptare, duke u vizituar kështu nga të pranishmit e këtij aktiviteti, e cila shërben për të promovuar kontributin dhe rolin, që kanë luajtur figura dhe personalitete të shquara shqiptare të kulturës Islame.

Pin It