“Ballkani që të lë pa frymë”, Paste Magazine këshillon kufirin Shqipëri-Kosovë

Gazetarja e njohur Bridget Nurre Jennions, në vijim të artikullit të saj “Ballkani që të le pa frymë”, dedikuar vendeve më të veçanta që duhen vizituar në këtë rajon, shkruan për kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës si për një aventurë të rrallë.

Jennions shkruan fillimisht për dashamirësinë me të cilën njerëzit e këtyre viseve i mirëpresin të huajt, me buzëqeshje dhe nderim.

“Ne jemi miq këtu, – shkruan ajo, – dhe për Malësinë e Madhe, Kosovën Perëndimore dhe Shqipërinë e Veriut nuk ka rol më të rëndësishëm. Malësia ju ofron mundësinë të përjetoni një mikpritje që daton shekuj më parë”.

Artikulli përmend kanunin si mënyrë vetëqeverisjeje të zonës në shekujt 18 dhe 19 dhe traditën e kullave të gurta që prisnin miq sipas kodit “miku i lodhur pritet i rrethuar me nderime”, duke i dhënë një vend në dhomën më të mirë, ku bëheshin edhe dasmat e gostitë, dhe duke e gostitur me kafe etj.

“Një pjesë e kullave janë rrenuar gjatë viteve ’90, ndërsa disa të tjera janë restauruar së fundimi për t’u kthyer në shtëpi për vizitorët, – shkruan gazetarja.”

“Duke sjellë vizitorët të provojnë ushqimin dhe kulturën e shqiptarëve këtu, ne mund të ndihmojmë në ruajtjen e traditave të tyre dhe t’i ndihmojmë ata të fitojnë përmes tyre një jetesë të qëndrueshme,”- thotë për “Paste Magazine” Sali Soshi, arkitekt dhe banor i zonës.

Shkrimi vazhdon më tej me Luginën e Valbonës, qytetin e Pejës, Luginën e Rugovës dhe Liqenin e Komanit, duke i përshkruar ato si vendet ideale për ata që janë të dhënë pas natyrës dhe shkëmbimeve kulturore.

“Fillimisht më tërhoqi përshkrimi i Valbonës në librin e vetëm të guides për zonën: s’ka dyqane, s’ka telefona, vetëm natyrë dhe ferma të vogla. Mund të ecësh sa të duash në cilindo drejtim,” – thotë ëndërrueshëm Catherine Bohne, një britanike që jeton prej disa vitesh në Valbonë dhe drejton një restorant dhe disa shtëpi pushimi këtu.  As sulmi i një ariu së fundmi nuk e ka zbehur dashurinë e saj për Valbonën.

Mundësitë për të shijuar kohën në këtë zonë janë të pafundme, ose siç thotë Soshi, “një udhëtim përmes Malësisë, është një udhëtim përmes kohës.”

Jennions nuk harron të përmendë bujtinat e ndryshme të zonës, ushqimin tradicional dhe çmimet e arsyeshme.

 

Pin It