Strategjia e re për strehimin social, më shumë mundësi për grupet në nevojë

Qeveria shqiptare miraton strategjinë afatgjatë për strehimin social, nga e cila pritet të përfitojnë rreth 25 mijë familje shqiptare. Strategjia e re synon përmirësimin e kushteve të strehimit për shtresat e shoqërisë në pamundësi ekonomike, të cilat deri tani nuk kanë arritur të përfitojnë nga programet sociale.

Dokumenti , i cili ka hyrë tashmë në fuqi për një periudhë 9-vjeçare, rregullon një sërë problematikash të programeve sociale si kostoja e banesave, mungesa e fondeve, raporti kërkesë-ofertë dhe aksesi i programeve të strehimit nga më të varfërit. Sipas strategjisë së re strehimi social do të funksionojë në dy mënyra: nga njëra anë do të ofrohen banesa për familjet që nuk mund të përballojnë dot çmimet e tregut për shkak të kushteve të renda social-ekonomike dhe nga ana tjetër do të prezantohen programe me kredi të përballueshme hipotekore për shtresat e mesme.

Deri tani programet e strehimit social i shërbenin shtresës së mesme, ndërsa grupet më në nevojë përjashtoheshin nga e drejta e strehimit. Studimet tregojnë se nga këto programe arrinin të përfitonin familjet me të ardhura mesatare 6-8 herë më të larta se kufiri i varfërisë, sepse të varfërit nuk i përballojnë dot programet e banesave me kosto të ulët.

Njësitë vendore raportojnë se mungojnë fondet për sigurimin e truallit të ndërtimit për banesat sociale, nuk ka plan strehimi dhe procedurat bankare janë të gjata e të kushtueshme. Prandaj grupet më në nevojë për strehim social nuk arrijnë të plotësojnë kriteret për të përfituar nga programet sociale.

Gjithashtu në këtë fushë ka mospërputhje mes kërkesës dhe ofertës. Banesat nuk ndodhen në zonat në të cilat ka nevojë për to.

Zbatimi i kësaj strategjie pritet të kushtojë në total rreth 7.3 miliardë lekë dhe buxheti i shtetit do të mbulojë 78% të kostos.

Studimet e institucioneve ndërkombëtare si OSBE dhe PNUD tregojnë se numri i atyre që kërkojnë të përfitojnë nga programet sociale është mbi 35 mijë. Numri më i madh i kërkuesve vjen nga Tirana, Elbasani, Korça, Durrësi dhe Fieri, ndërsa përqindja më e lartë e tyre i përket çifteve të reja (rreth 40%).  Ndryshe nga pritshmëritë aplikuesit më të paktë i takojnë përket kryefamiljareve femra, grupeve të jetimëve, komunitetit egjiptian etj.

Pin It