BE mbështet reformat në Shqipëri me 90 mln euro

bruksel-1

Bashkimi Europian do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në BE me një fond prej 90 milionë eurosh. Fondi do të përdoret në programin për luftën kundër korrupsionit dhe për realizimin e reformës në sistemin gjyqësor.

“Programi ndjek politikën e zgjerimit “në fillim parimet” duke u fokusuar në fushat e shtetit ligjor, të drejtave themelore, qeverisjes së mirë, zhvillimit ekonomik dhe konkurrencës. Ai mbështetet në programet 2014 dhe 2015 në kuadrin e Instrumentit për Asistencën Para-Anëtarësim (IPA II), që arrin në një total prej 649.4 milionë Euro për Shqipërinë gjatë periudhës 2014-2020”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Programi ofron mbështetje për sektorët e drejtësisë, transportit, mjedisit, peshkimit, bujqesisë dhe financave.  Ai do të ndjekë zbatimin e strategjisë së Shqipërisë për luftën kundër korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit. Në fokus të programit do të jenë gjithashtu mirëmbajtja e rrugëve, bujqësia dhe zhvillimi rural, strategjia për furnizimin me ujë dhe menaxhimi i ujërave të zeza, përmirësimi i sigurisë ushqimore, eksportet agro-ushqimore, si dhe asistenca financiare për shoqërinë civile.

Këto masa do të shërbejnë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, duke krijuar më shumë vende pune dhe prosperitet për gjithë  qytetarët e saj.

 

Pin It