Gjatë një ceremonie të zhvilluar sot në Bruksel nën udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të aleancës, Jens Stoltenberg, u firmos marrëveshja e Protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancën Veri-Atlantike.
Fillimisht protokolli u firmos nga Republika e Shqipërisë për të vijuar më tej me secilin shtet anëtar të NATO-s.
Si përfaqësues i Maqedonisë, Ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, e nënshkroi marrëveshjen në sy të 29 përfaqësuesve të vendeve anëtare.
Ky vendim i NATO-s vjen menjëherë pasi Greqia ka ratifikuar Marrëveshjen e Prespës, e cila i ka dhënë fund konfliktit 27 vjeçar mes 2 vendeve për emrin Maqedonisë.
Me këtë marrëveshje, Maqedonia është pajtuar për ndërrimin e emrit në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa Shkupi ka pranuar se gjuha maqedonase është pjesë e grupit të gjuhëve sllave dhe se identiteti nuk ka asgjë të përbashkët me maqedonasit e lashtë.