“Unaza e Re” me qendër shëndetesore, përfitojnë 25 mijë banorë

 

infermiere

Ministria e Shëndetësisë hapi një Qendër të re Shëndetësore në zonën e “Unazës së Re”. Për herë të parë 25 mijë banorët e kësaj zone do të kenë shërbim të kujdesit shëndetësor publik pranë vendbanimit të tyre.

Qendra Shëndetësore ka nisur punë prej afro dy muajsh dhe në të do të shërbejnë 3 mjekë dhe 5 infermierë. Deri në hapjen e kësaj qendre, banorët e zonës duhet ta merrnin kujdesin shëndetësor në “Kombinat”, tek Lagja “21 Dhjetori” ose në “Laprakë”.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili vizitoi qendrën sot, tha se qendra është hapur me kërkesën e banorëve dhe mbështetjen e Ministrisë së Brendshme.

“Prej disa javësh, mbas një kërkese insistuese qoftë të banorëve, qoftë edhe të kolegut Tahiri, ne arritëm që të krijojmë këtë Qendër të re Shëndetësore, në mënyrë që këtu, mjekët dhe infermierët ti shërbejnë nevojave të përditshme që kanë për kujdes shëndetësor banorët e këtij territori”,  tha më tej ai.

Kreu i Shëndetësisë falenderoi mjekët dhe infermierët dhe tha se vitin e ardhshëm qeveria planifikon të rrisë shpërblimin për punonjësit e shëndetësisë.

Drejtori i Qendrës Shëndetësore të “Unazës së Re”, Romeo Bani, theksoi se “kjo Qendër e re Shëndetësore është një simbolikë e jetësimit të prioritetit madhor të Ministrisë së Shëndetësisë për mbulim universal, që do të thotë, shërbimi vjen pranë komunitetit dhe jo komuniteti shkon tek shërbimi”.

Ndërsa ministri Tahiri falenderoi Ministrinë e Shëndetësisë për përgjigjen në kohë ndaj kërkesës së vazhdueshme të banorëve të “Unazës së Re”, për të patur një Qendër Shëndetësore.

 

Pin It