Për tri netë me radhë në sallën e shfaqjeve të Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani” publiku ka ndjekur performancën e artistëve të vegjël në Festivalin e 46-të të Këngës për fëmijët, zërat e të cilëve i kanë dhënë një tjetër bukuri mbrëmjeve të qytetit.
Natën e parë janë kënduar 11 këngë, ndërsa natën e dytë 10 këngë. Në natën e tretë u kënduan 12 këngë të përzgjedhura nga juria e festivalit.
Bukuria e interpretimit, muzika e orkestruar mjeshtërisht nga udhëheqësi artistik, Altin Metohu, tekstet e përzgjedhura me kujdes, zërat e ngrohtë fëminorë, jo vetëm që i dhanë një bukuri të veçantë kësaj gare artistike, por i shndërruan netët e këtij festivali në netë magjike.
Juria e festivalit, në përfundim të këtij eventi artistik, shpalli këngët fituese.
- Vendi i parë, Vanesa Ziu me këngën “Sa bukur!”;
- Vendi i dytë, Elfrida Nuka me këngën “Trokitja e engjëllit”/ Santiliano Berisha me këngën “Kënga jonë dashuri e zjarrtë”;
- Vendi i tretë, Vasilja Vrushaj me këngën ‘Kënga e zemrës” / Vanesita Golemi me këngën “Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve”.
Fituesit u përshëndetën nga anëtarët e jurisë dhe përfaqësuesit e Bashkisë, të cilët vlerësuan performancën e mrekullueshme të fëmijëve në këtë festival. /ata/