Bilanci 2016, Tahiri: Rritëm besimin tek qytetarët, luftuam kriminalitetin

Bilanci i Ministrisë së Brendshme për vitin 2016 karakterizohet nga pozitiviteti dhe përmirësimi. Sipas ministrit Saimir Tahiri gjatë 2016 Policia e Shtetit rrit besueshmërinë e saj tek qytetarët dhe niveli i kriminalitetit në vend u ul.

“Shqipëria në vitin 2016 ishte më e sigurtë, me më pak ngjarje kriminale, policia ishte në shërbim të qytetarit, besimi tek policia u rrit. Kjo konfirmohet dhe nga telefonatat e shtuara nga numrat e emergjencës, duke sjell ulje të kriminalitetit.  Fitorja më e madhe e jona nuk është krahasimi i shifrave, por me mentalitetin. Sot përballë policisë nuk ka më të pandëshkueshëm e të pabarabartë”, tha ministri Tahiri gjatë një konference për shtyp.

Tahiri deklaroi se gjatë vitit që lamë pas më shumë se 350 mijë qytetarë morën shërbime në komisariate dhe në drejtoritë e policisë, ndërsa janë konfiskuar 47.6 milionë euro pasuri dhe asete kriminale.

“Kjo është shifra që fakton se kemi ndjekur peshqit e mëdhenj. Gjatë 3 viteve janë konfiskuar 100 milionë asete e pasuri kriminale ku nga këto vetëm në vitin 2016, janë konfiskuar 47.6 milionë euro pasuri e vënë përmes krimit. Janë kapur mbi 2100 persona të shpallur në kërkim. Me Interpol e Europol janë 15 mijë informacione të shkëmbyera. 90 persona janë arrestuar me qëllim ekstradimin nga vende të tjera drejt Shqipërisë, pra kjo është rruga që po na çon drejt goditjes së peshqve të mëdhenj dhe po i godasim ato. Asnjëri nuk mund të thotë të kundërtën”, deklaroi Tahiri.

 

Pin It