Bizneset nuk mund të çregjistrohen nëse nuk shlyejnë detyrimet tatimore

QKR

Numri i personave që kërkojnë të çregjistrojnë bizneset është rritur, por Qendra Kombëtare e Regjistrimit thotë se nuk mund t’i pranojë kërkesat e tyre pa shlyer të gjitha detyrimet tatimore.

Por bizneset që janë paraqitur tek QKR janë kryesisht persona fizikë që duan të mbyllin aktivitetin në pamundësi për të paguar detyrimet. Ndëkohë që ata nuk arrijnë të shlyejnë detyrimet dhe as të çregjistrohen, borxhi tatimor i tyre vazhdon të rritet.

Ata nuk munden as t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar falimentin, pasi një procedurë e tillë mundësohet vetëm për shoqëritë tregtare.

QKR-ja njofton se për personat fizikë, çregjistrimi në mënyrë vullnetare kryhet nëpërmjet aplikimit për çregjistrim. Ky aplikim mund të bëhet së bashku me njoftimin e pushimit të aktivitetit ekonomik ose në një moment të dytë. Por kjo vetëm në rast se llogaritë me tatimet dhe pushtetin lokal janë të pastra.

Muajt e fundit kërkesat për çregjistrim janë shtuar, ndërsa 91 mijë biznese, rreth 50% e totalit të bizneseve, kanë kaluar në regjistrin pasiv.

Pin It