Ç’është ‘Vetingu’ dhe pse kërkohet përshpejtimi i miratimit të këtij projektligji?

drejtesia-420x236

Pas miratimit të reformës në drejtësi, vetingu është çështja kryesore në vëmendjen e politikës vendase dhe ndërkombëtare. Rregullimi i projektligjit për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve është kërkesa më emergjente e e zyrtarëve ndërkombëtarë.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë miratimin e 7 ligjeve mbështetëse për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese, duke filluar nga projektligji i vetingut. Miratimi i shpejtë i tij do të përshpejtojë zbatimin e reformës në drejtësi, pa të cilën Brukseli ka thënë se nuk i hap negociatat për anëtarësim.

Pas mosmarrëveshjeve të ndryshme midis palëve, edhe opozita shprehu dëshirën e saj për konsensus përmes një deklarate të nënkryetarit demokrat të Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi. Bylykbashi tha se përfaqësuesit e opozitës po punojnë me intensitet mbi draftin e shpërndarë vetëm një natë më parë. Por sipas opozitës duhet që të hyjnë fillimisht në fuqi amandamentet kushtetuese para se të miratohet vetingu.

Kuvendi mund të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme më 11 gusht, date në të cilën hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese të miratuara, për të miratuar 7 ligjet e rëndësishme para sesionit të ri parlamentar të shtatorit.

Vetingu synon nxjerrjen e personave të korruptuar jashtë sistemit të drejtësisë përmes një procesi, i cili parashikon plotësimin e katër formularëve me rëndësi. Formulari i parë kërkon deklarimin e pasurisë të personit dhe familjarëve të tij. Të dhënat e rreme në këtë drejtim mund të çojnë në ndjekje penale.

Formulari i dytë synon kontrollin e pastërtisë së kandidatit për gjyqtar/prokuror nga çështjet që lidhen me krimin e organizuar.

Formulari i tretë kontrollon aftësitë profesionale, ndërsa i katërti është një dokument më specifik, i cili nënkupton heqjen dorë nga privatësia, duke pranuar pajisjen me një celular të veçantë, një adresë elektronike të veçantë, të cilat do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm.

Formularin e fundit do ta plotësojnë vetëm kandidatët që do jenë përgjegjës për vetingun e të gjithë të tjerëve.

 

Pin It